Kreu i PD-së premtoi amnisti për të gjitha gjobat që janë vënë padrejtësisht nga qeveria.
Gjatë një takimi me banorët e Njësisë 3 në Tiranë, Basha theksoi se ndërsa qeveria e Ramës u ka vënë gjoba të padrejta qytetarëve, nuk i ka ndihmuar ata gjatë pandemisë.
Kryedemokrati theksoi se qytetarët e kanë mbajtur vetë barrën e trajtimit nga Covid-19 duke shtuar se qeveria e tij do rimbursojë të gjithë qytetarët që kanë paguar nga xhepi për t’u kuruar.
“Po ecja para se të vija këtu dhe u futa në farmaci. Shpenzimet që familjet shqiptare kanë bërë për t’u kuruar vetë nga korona i ka shkatërruar tërësisht. Gjëja e parë që PD do të bëjë është që do të rimbursojë të gjitha shpenzimet që janë bërë nga kurimi i Covid-19. Është një peshë e jashtëzakonshme e buxhetit të familjeve. Për sa u përket gjobave, do hetohen të gjithë këto që kanë bërë këtë punë dhe do të bëhet amnisti për të gjithë këto padrejtësi për biznesin e vogël dhe për familjet. Kështu që jeni mbajtur si jeni mbajtur këto dy javë të gjithë bashkë me 25, t’ia përplasim në fytyrë derën t’ia mbyllim derën të keqes, voto për ndryshimin.” – tha Basha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.