Pas gjobës prej 50 milionë lekësh të vjetra, kandidati i pavarur Elton Debreshi që garon në qarkun e Dibrës, është paraqitur sot përpara komisariatit të policisë së Bulqizës.
Në një videomesazh të publikuar në profilin e tij në Facebook, Debreshi shfaqet me mbështetës të tij pranë Komisariatit, ku shpreh një notë proteste lidhur me gjobën e majme.
Ai e ka konsideruar këtë një akt të turpshëm për policinë e shtetit, që vendos gjoba ndaj minatorëve por ama u mban anën politikanëve, duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim dhe për përfaqësuesit e partive politike.
Ai ka argumentuar se partitë e tjera bëjnë mitingje elektorale në qytete të ndryshme të vendit në ambiente të mbyllura, në kundërshtim të plotë me masat për parandalimin e Covid dhe përsëri nuk janë ndëshkuar me gjobë.
“Kemi ardhur këtu pranë Komisariatit të Bulqizës, për gjobën e marrë dje me shumën 50 milionë lekë të vjetra.
Si çdo herë shteti do t’i shtypë minatorët, siç bëri në protestat në dy vitet e kaluara. Porn ë fakt ky është një turp i madh për shtetin, që do të shtypë minatorët dhe të pengojë kandidatin e pavarur, për të drejtat që ai kërkon për minatorët.
Ne e dimë shumë mirë se çfarë bëjnë partitë politike dhe tubimet që shfaqin ato, nuk ishte e drejtë jo gjobë ndaj kandidatit të pavarur, një gjobë goxha e madhe për neve, por ne nuk frikësohemi nga gjobat, as nga Policia e shtetit, sepse në vend të mbajë policia anën e komunitetit shqiptar, mban anën partiake.
Në fakt minatorët e qarkut të Bulqizës dhe dhe qytetarët e Dibrës e kanë marrë si diçka të turpshme ndaj nesh.
Kështu që shteti ti vendosë gishtin kokës dhe mos përdoret politikisht nga partitë. Të shikojë edhe tubimet e që bëjnë partitë në qytete të ndryshme dhe mitingjet që bëjnë në ambjente të mbyllura, pa maska pa sasnjë lloj sigurie ndaj Covid, ndërsa ne po na ndëshkojnë me diçka të turpshme që për ne në fakt është një forcë një shtysë për të ecur para.”– tha zoti Debreshi.
Këtë video, Debreshi e shoqëron edhe me një mbishkrim, ku shprehet se kjo gjobë, është një “tentativë” për të mbytur zërin e punëtorëve.
Por ai thekson se nuk trembet nga këto provokime dhe se kjo vetëm i jep më shumë shtysë për ta çuar zërin e minatorëve në Parlament.
“Punëtorët gjobiten ndërsa militantët partiakë nuk preken. Punëtorët gjobiten ndërsa oligarkëve u falen taksat. Në nuk trembemi nga provokimet! Ne nuk ndalemi nga gjobat!
Kjo është përpjekja jonë e përbashkët për ta çuar zërin deri në Parlament!”- shprehet ai.