Vendosni fjalën kyçe....

Idiotët e krimit dhe idiotët e politikës


Nga Armand Shkullaku

Që kur e kam njohur, rreth 23 vjet më parë, Ferdinand Dervishin gjithnjë e kam lidhur me kronikat kriminale të Beratit të ’97-ës dhe me emrin e një krimineli të panjohur atëbotë në Tiranë, por me një histori nga ato që janë të destinuara të shndërrohen në mite, – Altin Dardha. Kjo lidhje ndoshta vinte dhe vjen prej faktit se Ferdinandi trokiti për herë të parë në dyert e revistës Klan duke sjellë për botim pikërisht profilin e përgjakshëm të Altin Dardhës apo edhe sepse më vonë u shndërrua në një “specialist” të historive të veçanta kriminale në faqet e të përjavshmes që unë drejtoja.

Aq e fortë qe kjo lidhje mes Ferdinandit dhe rrëfimit mbi personazhin famëkeq, saqë edhe sot e kësaj dite, të gjithë ne që kemi punuar me të në ato vite, vazhdojmë ta thërrasim me pseudonimin që nënshkroi shkrimin e tij të parë në revistë dhe të parin profil të një krimineli të frikshëm, për të cilin nuk ekzistonte asnjë foto dhe besohej se kishte aftësinë t’u shpëtonte plumbave të rivalëve.

Mesa duket fiksimi i vjetër i Ferdinandit nuk mund të rrinte gjatë i ndrydhur. Ai sot ka sjellë një libër, ose më mirë një roman kriminal, ku nëpërmjet historisë së pabesueshme të Altin Dardhës vjen edhe skicimi i çmendurisë shqiptare të vitit 1997.

Berati, një qytet i shquar për bashkëjetesën dhe qytetarinë, në mënyrë të befasishme gdhihet i copëtuar nga bandat, i dhunuar, i ngujuar brenda mureve të shtëpive dhe me një bilanc tragjik jetësh të humbura.

Në 23 vjet, autori ka mbledhur me një durim të pazakontë çdo dëshmi, dokumente të kohës, copëra gazetash, informacione zyrtare, data dhe ngjarje që ndërthuren sa në Berat po aq edhe në qytete të tjera të vendit për të shkuar në Athinë, Janinë, Napoli… e për t’u rikthyer në qytetin e një mijë e një dritareve të mbyllura.

Falë këtij kërkimi maniak të autorit, libri nuk është thjesht kronika e një krimineli, por një lloj guide për të mësuar dhe ndoshta kuptuar Shqipërinë e asaj kohe. Mbi 300 të vrarë, rreth 60 prej tyre nga dora e vetë Altin Dardhës, janë një pjesëz e çmendurisë tragjike të ’97-ës, e cila mori me vete afro 3 mijë jetë njerëzish dhe tronditi përgjithnjë mijëra të tjera.

Në rrëfimin e Dervishit tregohet jeta dhe aktiviteti i disa kriminelëve të kohës, bëmat e të cilëve lidheshin me luftën për territor, hakmarrjen, vendosjen e autoritetit, por edhe vrasjet për argëtim apo për histori femrash.

Nuk mungojnë aty edhe fillesat e njëfarë lidhjeje të krimit me politikën, ndonëse me personazhe periferikë dhe ende larg organizimit që ndeshim sot. Kriminelët atë botë lejonin ose pengonin politikanët të bënin fushata e takime, vetëshpalleshin me njërin apo tjetrin krah dhe shfrytëzonin ndikimin e tyre për të bërë ligjin në territore ku policia ishte e zbythur dhe pa asnjë lloj autoriteti. Ligjin e bënin bandat, komisariatet i kontrollonin bandat, madje edhe gjyqet i bënin po bandat.

Saga kriminale e Beratit dhe posaçërisht ajo e Altin Dardhës, që shfaqet në këtë libër, të sjell ndërmend historinë e serialit të famshëm “Peaky Blinders” në Anglinë e fillimshekullit të kaluar apo të mafias italiane në New York-un e rrëfyer nga Scorcese.

Por personazhet e romanit kriminal të Ferdinand Dervishit janë ende larg organizimeve të tilla, që atje shkonin deri në sferat më të larta të pushtetit. Banditët e Beratit, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, nuk ishin në gjendje ta fshihnin veprimtarinë e tyre, të organizoheshin mes vetes dhe ta përdornin forcën në funksion të ndonjë plani afatgjatë. Jo, ata ishin të dhunshëm dhe idiotë njëkohësisht. Vrisnin në mes të qytetit, godisnin me top shtëpitë e kundërshtarëve, dhunonin policinë para syve të qytetarëve, dinin të grabisnin, por jo të bënin parà. Ishin injorantë të destinuar për t’i ngrënë kokat njëri- tjetrit.

Për shumë nga ne që e kanë jetuar atë periudhë, libri i Dervishit është një rikthim në kohërat e absurdit ku jeta e çdokujt ishte një kapriçio e rastësisë. Por është një rikthim për të kuptuar më mirë, falë distancës kohore, aftësinë tonë vetëshkatërruese dhe vijimësinë e këtij romani kriminal që ende sot shkruhet nga personazhe të fortë, kriminelë e vrasës, që ndryshe nga idiotët e Altin Dardhës kanë ditur të fusin në dorë idiotët e politikës.

Libri i Dervishit është një lexim i domosdoshëm edhe për ata që nuk e kanë njohur çmendurinë shqiptare të ’97-ës. Me fare pak reflektim, aty mund të gjesh shumë shpjegime se përse vazhdimisht u afrohemi katastrofave të tilla dhe se përse në 30 vjet kemi ndërruar vetëm emrat dhe formën e banditëve që vazhdojnë të na mbajnë peng.

Ferdinand Dervishi, ose Fede, siç e thërrasim me pseudonimin që nënshkroi shkrimin e parë për Altin Dardhën, nëse do të ketë ende durimin dhe vullnetin e duhur, do të ishte rrëfimtari i goditur për vijimin e romanit tonë kriminal.

*Parathënia e shkruar nga gazetari Armand Shkullaku në librin “Altin Dardha” të Ferdinand Dervishit


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *