Më shumë se 1 mijë e 800 të burgosur janë arratisur nga një burg në Nigeri, pasi godina u sulmua nga njerëz të armatosur.
Siç shkruan BBC, sulmuesit hynë në oborrin e burgut në qytetin jug-lindor Oëerri, duke përdorur eksplozivë për të shpërthyer bllokun administrativ.
Një zëdhënës i policisë tha se sulmuesit mbanin bomba me raketa, mitraloza, eksplozivë dhe pushkë.
Gjashtë të burgosur thuhet se janë kthyer mbrapsht, ndërsa 35 të tjerë nuk pranuan të arratiseshin.
Policia ka akuzuar për kryerjen e sulmit grupin e ndaluar separatist, Indigjenët e Biafra-s. Por ky grup e ka mohuar përfshirjen në sulm.
Shërbimi Korrektues Nigerian ka konfirmuar se nga burgu u arratisën plot 1,844 të burgosur. Presidenti Muhammadu Buhari e quajti sulmin një “akt terrorizmi” të kryer nga “anarkistët“. Ai u bëri thirrje forcave të sigurisë për të kapur sulmuesit dhe të burgosurit e arratisur.
Që nga janari, disa komisariate policie dhe automjete në të gjithë Nigerinë jug-lindore janë sulmuar dhe sasi të mëdha municionesh janë vjedhur. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.