Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Korça: Brenda javës nis vaksinimi për personat +65-vjeç


Kryeministri Edi Rama në një prononcim për gazetarët nga Korça, ka deklaruar se brenda javës do të fillojë vaksinimi me grupmoshat +65 vjeç.

Rama theksoi se do të mbahet i njëjti ritëm i lartë i vaksinimit, sepse sa më shumë të vaksinojmë aq më shpejt do të dalim nga “ky tunel” siç e quan ai.

Rama iu përgjigj dhe deklaratave nga opozita se nga procesi i vaksinimit ka edhe viktima, gjë të cilën kreu i qeverisë e hodhi poshtë. Ai tha se sa herë mbi shqiptarët bie një fatkeqësi, Lulzimi dhe të tjerët janë me fatkeqësinë, jo me shqiptarët. Ai bëri kritika lidhur me grumbullimet e Bashës pa respektuar masat anti-COVID gjatë kësaj fushate elektorale.

“Edhe ne Korçë si kudo jo vetëm në qendrat e vaksinimit, por në çdo qendër shëndetësore të Republikës së Shqipërisë, vijon intensivisht vaksinimi, është një lehtësim i madh për njerëzit që vaksinohen, është ndjenjë shumë e fortë nderi për ne që bëjmë çmos kur shohim gjithë këta gjyshër e gjyshe që buzëqeshin.

Do shkojmë menjëherë te +65 dhe kjo gjë do të fillojë brenda javës, kështu që ata që janë gati 70 dhe 60+ të përdorin portalin e-albania dhe njëkohësisht do lajmërohen mjekët e familjes.

Sistemi po funksionon realisht sahat, ritmi është shumë i lartë do ta mbajmë këtë ritëm me doemos sepse sa më shumë të vaksinojmë aq më shpejt do të dalim nga ky tunel duke këputur masivisht hallkat e zinxhirit të infektimeve.

E përsëris që vaksinimi masiv ka të domosdoshëm dhe distancimin që do të thotë që ne duhet të bëjmë të gjithmonë detyrën tonë pasi nëse nuk mbajmë distancë aq më tepër grumbullohemi siç po ndodh përditë në vatrat COVID të fushatës elektorale të palës tjetër vonojnë procesin dhe biem në të njëjtin kurth ku ranë vendet e tjera, shikoni Kosovën, u desh një fushatë elektorale pa distanca me marshime për të rritur numri frikshëm dhe për të kthyer një trend negativ të vdekjeve.

Shikoni Malin e Zi, një vend ku niveli i infektimeve ishte më i ulëti në rajon, sot ata vazhdojnë të përballen me pasojat e tmerrshme të një fushate elektorale të papërgjegjshme.

Kjo është së pari një çështje përgjegjshmërie, respekti, për shëndetin, mbi shëndetin nuk ka dhe nën shëndetin e njerëzve vijnë gjërat e tjera.”– tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *