Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i Agjencisë Europiane të Barnave: Ka lidhje mes AstraZenecas e mpiksjes së gjakut, por s’e dimë ç’e shkakton


Një zyrtar i lartë në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) ka thënë se ai beson se ekziston një lidhje midis vaksinës AstraZeneca dhe rasteve jashtëzakonisht të rralla të mpiksjes së gjakut të raportuar kohët e fundit te prsona që kishin bërë vaksinën.

Në një intervistë me gazetën italiane ‘Il Messaggero’, Marco Cavaleri, shefi i strategjisë së vaksinave në EMA, tha se ishte ‘e qartë se ka një lidhje me vaksinën’ por kishte ende paqartësi se çfarë saktësisht po shkaktonte një reagim të tillë.

Cavaleri tha se midis njerëzve më të rinj të vaksinuar kishte një numër më të lartë se sa pritej të rasteve të trombozës cerebrale – mpiksjen e gjakut në tru – krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Ai sugjeroi që EMA do të bënte një deklaratë mbi situatën më vonë të hënën. Independent kontaktoi EMA për një koment lidhur me çështjen.

EMA ka këmbëngulur javën e kaluar se ‘lidhja kauzale me vaksinën nuk është e provuar’ dhe vazhdon t’u rekomandojë njerëzve të shfrytëzojnë rastin të vaksinohen kur të ofrohet.

“EMA është e mendimit se përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e Covid-19, me rrezikun e lidhur të shtrimit në spital dhe vdekjen, tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore.” – tha agjencia në një deklaratë të bërë më 31 mars.

Disa vende kanë ndaluar ose kufizuar përdorimin e vaksinës për grupe të caktuara, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Kanadanë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se përfitimet i tejkalojnë rreziqet ndërsa AstraZeneca tha në mars se vaksina e saj ishte 76 përqind efektive në parandalimin e infeksioneve simptomatike në një provë në SHBA dhe se studimet nuk treguan rreziqe më të larta të mpiksjes.

Zyrtari i lartë i EMA-s shtoi: “Sipas mendimit tim ne tani mund ta themi atë, është e qartë se ka një lidhje me vaksinën. Sidoqoftë, çfarë e shkakton këtë reagim, ende nuk e dimë. “Këto tromboza cerebrale me mungesë të trombociteve duket se janë ngjarja kryesore për t’u hetuar. Në orët e ardhshme ne do të themi se lidhja ekziston, por ne ende duhet të kuptojmë se si ndodh kjo.”

I pyetur nëse raporti rrezik-përfitim ishte akoma në favor të vaksinës, ai u përgjigj ‘po’, por tha se efektet në grupe të ndryshme moshe duhej të shqyrtoheshin ‘në mënyrë më të hollësishme’.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *