Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dalë sërish në një deklaratë për shtyp për bllokimin e aeroportit të Rinasit nga greva e punonjësve të Albcontrol.
Balluku tha se punonjësit kanë vendosur të mos kryejnë detyrën dhe të mos bëjnë shërbim dhe për këtë arsye ata duhet të lëshojnë ndërtesën
“Kontrollorët e trafikut ajror që kanë nënshkruar kontrata, kanë vendosur as të mos bëjnë detyrën, as të mos bëjnë shërbimin. Për këtë arsye këta persona nuk mund të qëndrojnë më në këtë ndërtesë. Të gjithë këta persona që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, të gjithë këta që nuk duan ta kryejnë këtë funksion do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment. Ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës të qëndroni dhe të deklaroni që jeni të aftë për punë dhe të vazhdoni punën dhe të hyni e dilni në ndërtesë. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë… detyra fatkeqësisht është braktisur para 3 mln dëshmitarëve. Keni braktisur detyrën para 3 mln shqiptarëve, e keni kyçur derën e vetme shqiptarëve. E turpëruat Albcontrolin dhe e kthyet në dyqan. 5 mashat e politikës, se nuk jeni më shumë e kthyet në dyqan. E bëtë institucionin më të rëndësishëm të transportit të Shqipërisë dyqan me tra dhe qepen dhe nuk vutë asnjë tabelë”- deklaroi Balluku.
Më tej Balluku ka thënë se Policia do marrë nën kontroll ndërtesën nëse nuk largohen nga ndërtesa.
“Unë ju them të gjithë atyre kontrollorëve që duan të vazhdojnë detyrën, do të ishte kënaqësi për ne që të ktheheshin në detyrë dhe për më tepër t’i jepni mundësi shtetit shqiptar që të sjellë vaksinat. Jeni të lutur të gjithë ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës që të qëndroni dhe deklaroni se jeni të aftë për punë. Të gjithë të tjerët që nuk duan të operojnë por qëndrojnë nëpër karrige, detyra fatkeqësisht është braktisur. Keni kyçur derën e vetme që është kontakti i shqiptarëve me botën.
Nga momenti që bëtë këtë veprim mund të kryeni aksione të tjera më të rrezikshme. Për këtë arsye, ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura dhe nga ky moment, Policia e Shtetit do të vërë nën kontroll ndërtesën”-tha Balluku.