Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohet aeroporti i Rinasit, pritet të mos ketë më fluturime pasi në kulla nuk ka kontrollorë


Aeroporti i Rinasit është bllokuar totalisht pasi ende nuk është arritur një marrëveshje mes ministres së Infrastrukurës, Belinda Balluku dhe kontrollorëve që kanë hyrë në protestë.

Sipas televizionit “News 24” bisedimet mes tyre kanë dështuar dhe puna në Rinas vijon të mbetet e pezulluar dhe pritet të mos ketë asnjë ulje-ngritje avionësh. Kjo pasi s’ka punonjës në kulla për të kontrolluar.

Madje edhe tek mbikalimet nuk do të ketë punonjës për të njoftuar nëse është qielli i lirë për avionët apo jo.

Kontrollorët e AlbControl në Rinas pezulluan punën paraditen e sotme, për të protestuar për pagat dhe kushtet e punës si dhe stresin që po përjetojnë sidomos në kushtet e pandemisë.

AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Kontrollorët dhe punonjësit e tjetër të AlbControl kërkojnë rritje të pagës, pasi në prill të vitit të kaluar ato u janë ulur me 70%. Ata kanë firmosur kontratën e paaftësisë në punë edhe për shkak të stresit ndaj pandemisë, por nuk është marrë parasysh nga drejtuesit.

65 janë kontrollorët kanë disa kërkesa që i kanë parashtruar ministres Balluku, që sipas portalit Shqiptarja.com janë këto:

– Rikthim i kolegëve në punë;

– Shfuqizim i vendimeve të bordit;

– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;

– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;

– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *