Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është drejtues politik i PS-së në kryeqytet, ka folur për vendimin e djeshëm për faljen e gjobave të vëna për ato familje të prekura nga tërmeti që kanë nisur ndërtimet pa marrë lejen e nevojshme.
I ftuar në programin “Koha për t’u zgjuar”, Veliaj tha se vendimi për faljen e 988 gjobave të vëna nuk ka lidhje me zgjedhjet. Por sipas tij është marrë që vitin e kaluar.
“Vendimi për falje gjobash është marrë që në tetor të vitit të kaluar, kur nuk kishte zgjedhje. Është një përsëritje copy-paste e një vendimi që ne morëm dhe vjet. Unë besoj që kjo do të jetë hera e fundit, viti tjetër do të jetë pa pandemi. Është çështje muajsh rikthimi në normalitet. Është e gjitha rutinë, siç ishte rutinë edhe hapja e një rruge me emrin Sokol Olldashi, me emrin Bashkim Fino, apo me emrin Arjan Sala.
Disa vendime ishin në kontekstin e ngjarjeve që kanë ndodhur, disa të tjera, si falja e gjobave dhe amnistia publike, ishin vendime rutinë. Nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet.”-deklaroi sot Veliaj.
Veliaj tha se kjo është një nga fushatat më të qeta, që ka parë ndonjëherë ndërsa shpreh bindjen e thellë se PS do të fitojë bindshëm në Tiranë.