Këtë mëngjes kryeministri Edi Rama dha një intervistë për programin e mëngjesit “Wake Up” që transmetohet në “Top Channel”, ku përballë kishte gazetarët Isli Islami dhe Ori Nebiaj, kjo e fundit një kundërshtare politike gjithashtu pasi në këto zgjedhje kandidon për deputete nën siglën e PD-së.
Ori Nebiaj kandidon e 18-ta në listën e PD-së në Tiranë, por kjo s’e ka penguar atë të kryejë detyrën e saj si gazetare kur është vënë përballë të ftuarit të radhës, kryeministrit Rama.
E gjendur në vështirësi, mes të bërit të pyetjeve si gazetare por pa u futur në debate politike me të, Nebiaj sot ia doli më së miri t’i bënte kryeministrit disa pyetjeve të sikletshme por duke u treguar e kujdesshme të shmangë debatet me të. Megjithëse në pjesën më të madhe, ishte Islami ai që i drejtonte pyetje Ramës.
Nebiaj e pyeti kryeministrin Rama lidhur me çështjen e lumit Vjosa, për ta kthyer atë në Park Kombëtar. Kërkesë e bërë vazhdimisht në rrjetet sociale edhe nga të huaj, si aktori amerikan Leonardo Di Caprio. Po ashtu ajo preku dhe deklaratat për “punëtorët nga Bangladeshi”, duke e pyetur Ramën nëse 7 vjet kanë qenë të pamjaftueshme për të arsimuar 7 breza dhe për të rritur punësimin e të rinjve.
Pjesë nga intervista:
Ori Nebiaj: Zoti Rama meqenëse jeni në Përmet. Ambientalistët ju kanë drejtuar me 5 Prill konkretisht një letër të hapur ku këmbëngulin që Vjosa dhe të gjitha degët e saj të shpallen Park Kombëtar, ndryshe nga sa është aktualisht zonë e mbrojtur.
Sipas ambientalistëve vetëm statusi si Park Kombëtar është gjetur si më i përshtatshëm i mbrojtjes së Vjosës. Së pari për të siguruar ruajtjen afatgjatë të integritetit natyror, biodiversitetit dhe proceset natyrore të një ekosistemi kaq të larmishëm dhe të gjallë dhe së dyti, pasi përfaqëson opsionin më të mirë për të promovuar dhe mbështetur zhvillimin rajonal përmes një turizmi të qëndrueshëm dhe agroturizmit, siç ju jeni shprehur. Keni një përgjigje publike për ta sot?
Edi Rama: Së pari idenë e Vjosës Park Kombëtar kemi qenë ne që e kemi promovuar të parët dhe për Parkun Kombëtar të Vjosës kemi kohë që po punojmë me projekte konkrete.
Zona e Mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht dhe përfundimisht Vjosën nga ndërhyrjet në shtratin e saj, pra nuk lejon në asnjë mënyrë ndërtimin e digave për hidrocentale, kjo është e sigurt. Ndërkohë që koncepti i Parkut Kombëtar është një koncept që nuk mund të shtrihet dot përgjatë gjithë Vjosës duke kapur brenda dhe qytete, por duhet trajtuar në mënyrë shumë të kujdesshme në sensin e ndarjes së qartë midis zonës së mbrojtur dhe zonës Park Kombëtar, në mënyrë që të kemi mundësi që në pjesën e zonës së mbrojtur të stimulojmë agroturizmin, sepse në një Park Kombëtar është krejtësisht e pamundur të ndërhysh për çfarëdo qoftë, qoftë për këtë agroturizëm, qoftë edhe për aktivitete të tjera të cilat sigurisht nuk e cënojnë aspak Vjosën.
…
Ori Nebiaj: Zoti Rama para disa ditësh, kur në një biznes fason ju përmendët punëtorët nga Bangladeshi, iu rikthyet në një farë mënyrë dhe sloganit të para 7 viteve “Punë ka por s’ka profesionistë” dhe teorisë së shqiptarit dembel që kërkon punë intelektuale. 7 vite a nuk ju duket kohë e mjaftueshme për të arsimuar 7 breza, ku secili brez i ka afërsisht 30 mijë të rinj, për ta ndryshuar këtë qasje, për të ndryshuar këtë hendekun e madh mes arsimit të të rinjve dhe tregut të punës? Rrjedhimisht për të rritur punësimin e të rinjve.
Edi Rama: E kuptova, së pari nuk kam përmendur asnjë punëtor nga Bangladeshi. Punëtorët nga Bangladeshi i ka përmendur zotëria që ishte aty dhe është sipërmarrës, i cili është në kërkim të punëtorëve për një pagë 400 mijë lekë dhe është në mungesë punëtorësh. Nuk i kam përmendur unë punëtorët nga Bangladeshi. Unë nuk kam thënë se shqiptarët janë dembelë, s’e kam thënë tani e as asnjëherë, pavarësisht se më janë vënë në gojë edhe Bangladeshi edhe shqiptarët dembelë. Ajo që unë kam thënë dhe përsëris është se shqiptarët janë punëtërët më të mëdhenj edhe kur lajnë pjata jashtë, ndërsa këtu kërkojnë punë nga shteti. Sa i përket punësimit, mjafton të shikojmë shifrat dhe sot kemi thuajse 300 mijë të punësuar më shumë se sa kishim në 2013, nga ana tjetër jo vetëm që i kemi monitoruar por kemi 10 mijë të punësuar më shumë se sa përpara poandemisë. Nuk kanë ardhur nga Pakistani që të plotësojnë boshllëqet.