Partia Demokratike ka thënë se akuzat e kryeministrit Rama ndaj selise blu lidhur me grevën e kontrollorëve të Rinasit janë një frymë konstante e tij.
Në një deklaratë nga PD-ja, kandidati për deputet në Tiranë, Alfred Rushaj, tha se kur diçka ndodh në vend, fajin për këtë e kanë të tjerët përveç qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Rushaj theksoi se edhe në rastin e tërmetit, edhe në rastin e pandemisë, edhe në rastin e largimit të qytetarëve, fajin e kanë qytetarët kurse sipas kryeministrit Rama, qeveria e tij nuk ka asnjë përgjegjësi.
Ai shtoi më tej se kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë përgjegjës për atë që ka ndodhur në vend në 8 vitet e qeverisjes së tij si dhe për bllokimin e punës në aeroportin e Rinasit.
“Ministrja na shpjegoi se për grevën në aeroport duhen fajësuar punëtorët dhe opozita. Ministrja që ishte 8 vite përgjegjëse për punëtorët, tani po na akuzon ne për një grevë. Ky është një mashtrim elektoral i Ramës për qytetarët shqiptarë. Kjo është fryma konstante e qeverisë Rama: të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës vetë dhe qeverisë së tij të dështuar. Kur paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë – arsyeja është pandemia. Kur ai nuk mban dot asnjë premtim – arsyeja është tërmeti. Kur Shqipëria është në mesin e vendeve me vdekjet më të larta në Europë dhe spitalet po kolapsojnë – arsyeja është se qytetarët nuk janë mjaftueshëm të kujdesshëm dhe të mbrojtur. Kur Shqipëria gjobitet me një shumë astronomike prej 110 milion euro – arsyeja është pronari i televizionit dhe vetë kanali televiziv. Kur papunësia arrin kulmin e qindra mijëra të papunëve, Rama shpjegon se kjo vjen për shkakun tonë, vetë qytetarëve shqiptarë që nuk duan të punojnë. Por qytetarët shqiptarë e dinë tashmë … është Rama dhe qeveria e tij e dështuar, vetëm ata janë përgjegjës për të gjitha dështimet. Vetëm ata janë përgjegjës për faktin që Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite. Dështimi i Shqipërisë është dështim i Ramës. Shqipëria duhet të ndryshojë, Shqipëria duhet të nisë të shpresojë sërish. 25 prilli i jep fund justifikimeve të dobëta të Ramës. Shqipëria meriton një qeveri dhe një kryeministër që merr përgjegjësi për rezultatet dhe punon për Shqipërinë.” – tha Rushaj.