Pavarësisht se Moska e Pekini po krijojnë një partneritet gjithnjë e më të ngushtë, të dy vendet nuk shohin përfitime të mundshme në krijimin e një aleance zyrtare për t’u përballur me bllokun ushtarak të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja, ka njoftuar diplomati i lartë i Rusisë.
Duke folur në një konferencë shtypi të martën me homologun e tij indian, ministri i Jashtëm Sergej Lavrov u tha gazetarëve se ‘marrëdhëniet ruso-kineze kanë arritur nivelin më të mirë në histori’. Sidoqoftë, ai tha, ‘këto marrëdhënie nuk do të na çojnë të ndjekim qëllimin e krijimit të një aleance të forcave të armatosura’.
Ai kritikoi ‘fjalimet për projektet për të krijuar një ‘NATO të Lindjes së Mesme’, duke vënë në dukje s e kohët e fundit po diskutohet shumë mbi formimin e një NATO-je aziatike.
I dërguari i Moskës tha se ‘ne kemi shkëmbyer mendime për këtë çështje. Ne ndajmë një qëndrim të përbashkët me miqtë tanë indianë se kjo do të ishte kundërproduktive’.
“Në vend të kësaj”, tha Lavrov, “ne jemi të interesuar që bashkëpunimi të jetë gjithëpërfshirës dhe në favor të diçkaje, jo kundër dikujt tjetër.”
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s janë përkeqësuar në muajt e fundit. Javën e kaluar, Lavrov u detyrua të mohojë pretendimet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili këmbënguli se prishja e komunikimeve ishte për faj të Moskës.
Lavrov u përgjigj se nuk kishte pasur bisedime të mbajtura përmes një forumi të përbashkët dialogu jo sepse ‘ne refuzojmë të punojmë, por sepse thjesht nuk duam të ulemi atje dhe të dëgjojmë për Ukrainën’.