Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Real Story” lidhur me raportet që ketë me e opozitën e ardhshme nëse vjen në pushtet.
Basha tha se një nga propozimet e tij është që opozita e ardhshme do të ketë akses në informacionet shtetërore, për të garantuar, sipas tij, që qeveria të mos lajthisë e të synojë kapjen e vendit.
Mes të tjerash, Basha u shpreh se ka propozuar që në vitin 2016 një reformë që partitë politike t’i nënshtrohen kontrollit të KQZ, si të ishin institucione shtetërore.
“Është reformimi i partive politike zgjidhja dhe jo anti-sistemi. Kjo e fundit po përdoret nga Rama, i cili thotë se ‘nuk ka më të mirë se ne’. Sistemi për mua është demokracia dhe ajo që çalon është se partitë janë trajtuar si institucione private, kur në fakt duhet të jenë institucione publike. Unë kam propozuar më 2016 një reformë që partitë politike t’i nënshtrohen kontrollit nga KQZ, si të ishin institucione shtetërore. Mund të duket e çuditshme, por në cilin vend kanë arritur në këtë nivel, që të përqendrojnë gjithë pushtetin në duart e një njeriu. Shqipëria do ndryshim dhe për mua pjesë e ndryshimit duhet të jetë reforma në institucionet demokratike. 3 janë propozimet e mia. Propozimi i parë është që ne së bashku me opozitën e ardhshme socialiste dhe në konsultim me qytetarë t’ju ofrojmë një kushtetutë të re Shqipërisë ku pushtetet të jenë të ndara, ku parlamenti kontrollon qeverinë dhe nuk është noteri i qeverisë.
Po ama ata që vijnë në parlament të jenë përfaqësues të zgjedhësve dhe jo të grupeve të interesave të kryetarit të qeverisë. Propozimi i dytë që përveç fuqizimit të institucioneve të kontrollit të fuqizohet opozita si institucion dhe dua të bëj një zotim: Opozita e ardhshme socialiste do të ketë garancitë për të shërbyer si mjet efektiv kontrolli ndaj qeverisë vetëm kështu do garantojmë që qeverisja e nesërme dhe çdo qeveri e ardhshme të mos lajthisë dhe të fillojë të kërcënojë këdo, gazetarë e analistw. Që të mos vijmë prapë këtu, ne do bëjmë këtë gjë. Institucioni i kryetarit të ardhshëm të opozitës do të ketë akses të mjaftueshëm në informacionet shtetërore që të mos jetë e pafuqishme që të bëjë detyrën. Sepse opozita është rojtare e qeverisë, kjo është detyra e saj”- tha Basha.