Vendosni fjalën kyçe....

Basha shtjellon planin e PD-së: Ekonomia, familjet shqiptare e fermerët fokusi kryesor, ulim çmimin e karburantit dhe energjisë


Kreu i PD-së ka prezantuar planin e tij për vendin pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Gjatë një interviste të dhënë ditën e sotme, Basha tha se qeveria e tij do ndihmojë bujqësinë, që sipas tij është sektori më i goditur nga keqqeverisja e këtyre 8 viteve të fundit.

Pjesë e ndihmës do jenë 100 milionë euro në vit subvencione si dhe ulja e çmimit të karburantit dhe energjisë elektrike.

“Sektori i bujqësisë është sektori më i goditur nga keqqeverisja e këtyre 8 viteve. Shembulli më i pastër i kësaj është mungesa totale e subvencioneve. Po të krahasosh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, do të shohësh që këto dy vende me buxhete njësoj apo në rastin e Kosovës sa gjysma e Shqipërisë, mbështesin fermerin e tyre me afro 100 milionë euro në vit subvencione. E njëjta gjë edhe për peshkimin dhe bletarinë dhe për agrobiznesin. Ulja e çmimit të energjisë me heqjen e ‘taksës Rama’ 24 lekë mbi litër karburant do të ndikojë në uljen e kostos së tyre dhe futjen e produktit të tyre cilësorë me një çmim konkurrues në tregun shqiptar.” – tha Basha gjatë intervistës për Panorama.

Më tej Basha tha se qeveria do shpenzojë 50 milionë euro në vit për infrastrukturën rurale duke cekur rrugët, kanalet e vaditjes, rrjetin e energjisë elektrike, rrjetin e tregjeve, magazinimi e përpunimin.

Basha theksoi më tej se nevoja për ndryshim në vend është jetike pasi çdo sektor është goditur nga keqeverisja duke përmendur ekonominë si sektorin më të goditur.

Kryedemokrati tha se qeveria e re do vendosë taksën e sheshtë 9% për biznesin e madh ndërsa biznesi i vogël do paguajë një tavan prej 0.5% taksë

“Çdo fushë e jetës është goditur rëndë nga keqqeverisja në këto 8 vite. Kjo vihet re te papunësia në rritje, te kostoja e jetës në rritje dhe te çmimet e papërballueshme e taksat e larta. Prandaj, ekonomia është në fokusin tonë. Vendimet e para kanë të bëjnë me paketën ekonomike, kanë të bëjnë me taksën e sheshtë 9% për biznesin e madh. Me tavanin 0.5% për biznesin e vogël, që do të jetë çdo biznes me xhiro nën 14 milionë lekë të rinj në vit. Kanë të bëjnë me uljen e detyrimeve shoqërore në nivelin 18%, nga 24.5% që është aktualisht. Ka të bëjë me heqjen e “taksës Rama” mbi karburantin që në javën tonë të parë.” – shtoi Basha.

Ai vijoi duke shpjeguar se ulja e çmimit të karburantit dhe energjisë elektrike janë pjesë e programit qeverisës së PD-së dhe do ndikojë në mënyrë thelbësore ekonominë familjare.

“Karburanti në Shqipëri që në javën tonë të parë do të jetë i krahasueshëm me çmimin e karburantit në rajon, sepse ne do ta heqim atë taksë 240 lekë për litër që paguajmë në qeverisjen Rama. Ne do të vendosim një fashë ku 300 KV/orët e para për muaj do t’i paguajë me një çmim më të ulët sesa është sot. Kjo do t’u vijë në ndihmë familjeve me të ardhura të pakta. Por fatura e energjisë duhet të paguhet.” – shtoi Basha.

Lidhur me pandeminë Covid-19, Basha tha se do sjellë në vend vetëm vaksina të certifikuara perëndimore dhe në përputhje me standartet e OBSH-së.

Ai ceku edhe rastin e fundit të gjobës 110 milionë euro ndaj Shqipërisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit pro biznesmenit Francesco Beçhetti. Basha tha se do kalojë në parlament një ligj ku në raste të tilla, dëshpërblimi të paguhet nga përgjegjësit dhe jo qytetarët.

“Ne do të kalojmë në Parlament një ligj ku në raste të tilla, si në rastin Beçhetti, ku dosja tregon qartë që është faji i Edi Ramës, Erjon Veliajt, Ëngjëll Agaçit dhe një sërë zyrtarësh të shtetit. Edhe gjoba do të paguhet nga fajtorët dhe jo nga populli. Sigurisht që nuk do të paguhet nga paratë që marrin nga rroga. Sepse po të ishte vetëm për rrogat, nuk do të kishin trefishuar pasuritë e tyre sipas ILDKPI-së. Por në të vërtetë ata nuk i kanë trefishuar, por i kanë qindrafishuar. I kanë kthyer në pasuri të patundshme. Shumë prej kullave që ndërtohen në Tiranë kanë bashkëpronarë qeveritarët e korruptuar të Tiranës. Shumë prej ndërtimeve në bregdet kanë bashkëpronarë qeveritarët e korruptuar të Tiranës. Kanë konto bankare në emrin e tyre dhe të tjerëve nga Qiproja në Hong-Kong, në Singapor dhe në ishujt “Kayman”.” – theksoi kreu i PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *