Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi për situatën në Rinas: U kërcënua siguria kombëtare, do bëjmë gjithçka të mos cënohet stërvitja “Defender 21”


Sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi nga greva e kontrollorëve të trafikut ajror që ka pezulluar fluturimet në Rinas, është vënë në rrezik siguria kombëtare.

Gjatë një interviste për emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”, ministri Peleshi tha se ushtria është në aeroport për të garantuar sigurinë dhe jo për të marrë kontrollin e kullës.

 “Ne jemi aty, jemi pjesë integrale, garantojmë ruajtjen e perimetrit të tij, ka një të vërtetë që vigjilenca është rritur, është shtuar sepse aeroporti është cenuar në funksionalitetin e tij nga greva e kontrollorëve, që kanë pretendimet e tyre. Është e papranueshme që pretendimet të cenojnë funksionalitetin e aeroportit tonë të vetëm. Kjo është arsyeja pse ju patë dje Forcat tona të Armatosura që shtuan kontrollin në Rinas. Ka disa licencime specifike për kontrollorët speicifikë që ushtria nuk i ka dhe nuk bëhet fjalë për marrjen e kontrollit të kullës nga ushtria, por thjesht për ruajtjen e tij në një moment ku përbëhet kërcënim për sigurinë kombëtare. Dje duhet të kishte mbërritur një kontigjent i rëndësishëm vaksinash, ka edhe emergjenca të tjera që shkaktohen, ka edhe problematika të tjera, ne jemi anëtarë të NATO-s.”– deklaroi Peleshi.

Mes të tjerash, Peleshi foli edhe për stërvitjen e ushtarëve amerikanë “Defender 21”, për të cilën tha se do të bëhet ç’është e mundur që misioni të mos cenohet.

“Aeroporti i Rinasit është e vetmja portë nga ku do të dislokohen trupat në kuadër të stërvitjes ‘Defender 21’. Do të jetë një stërvitje më e madhja e këtij lloji dhe duhet të dalë me sukses. Synojmë të jetë një stërvitje peridoke që na jep ne një rol strategjik. Kjo stërvitje po pritet me shumë gëzim. Roli ynë në Ballkan është i padiskutueshëm si një vend që ndikon përmes prezencës së shqiptarëve në shumë shtete, por edhe pozicionin tonë. Perëndimi është fjala që duhet të na orientojë dhe kjo stërvitje ka rol në këtë drejtim. Cenimi i stërvitjes është i papranueshëm. Patëm kontakte me vendet anëtare të NATO, i kemi garantuar se do të bëjmë gjithçka për të rifilluar punën në aeroport dhe të mos cenojmë këtë mision.”– deklaroi Peleshi. 

Kryeministri Rama më parë u raportua nga Hashtag.al se ishte në kontakte me palën amerikane dhe nuk përjashtohet marrja e masave drastike, si arrestimi i një pjese të kontrollorëve dhe kalimi i aeroportit të Rinasit në kontroll të ekspertëve ushtarakë të Aviacionit.  Kjo pasi nga bllokimi i Rinasit rrezikohej dislokimi i trupave amerikane që do vijnë në Shqipëri këtë fundjavë për stërvitjen “Defender 21”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *