Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në një intervistë për emisionin “Log” se tashmë kanë filluar fluturimet nga Rinasi dhe se çështja është drejt zgjidhjes.
Rama shtoi se një pjesë e kontrollorëve janë rikthyer në punë ndërsa pas përgjigjes së disa punonjësve nga Turqia nesër pritet të vijë një grup tjetër nga Greqia.
“Çështja mund të diskutohet por është një çështje e zgjidhshme tashmë dhe sot kanë filluar fluturimet esenciale dhe nesër vijojnë normalisht. Ne nuk jemi gjendur gafill kemi pasur informacion në lidhje me këtë dhe kemi bërë përpjekje për ti sjellë në vete ato që i hynë kësaj ndërmarrje marrëzirë të shtyrë dhe të orkestruar.
Ministrja deri në fund ka qenë në komunikim me të dhe ne menjëherë kemi vënë në zbatim planin e hartuar. Pas thirrjes së bërë nga unë dhe nga ministrja një pjesë e tyre janë rikthyer por kjo punë nuk mbaron me kaq pasi do të bëhet një proces i vëmendshëm. Kemi pasur përgjigje nga kontrollorët e Turqisë dhe kemi dhe një grup tjetër nga Greqia që pritet të vijë nesër në vendin tonë”-ka thënë Rama.