Vendosni fjalën kyçe....

Ulet pritshmëria për të jetuar pas Covid-19 në Europë – Si krahasohet Shqipëria me rajonin


Jetëgjatësia e pritshme për një të sapolindur është rritur në dekadën e fundit në Bashkimin Europian, sipas një publikimi të fundit të Eurostat.

Statistikat zyrtare tregojnë se jetëgjatësia është rritur, mesatarisht, me më shumë se dy vjet në dekadë që nga vitet 1960. Sidoqoftë, të dhënat më të fundit të disponueshme sugjerojnë që jetëgjatësia ka mbetur në vend, ose madje ka rënë në vitet e fundit në disa shtete anëtare të BE-së.

Për më tepër, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, jetëgjatësia e pritshme në lindje ra në shumicën dërrmuese të Shteteve Anëtare të BE-së, që kanë të dhëna të disponueshme për vitin 2020. Uljet më të mëdha u regjistruan në Spanjë (-1.6 vjet krahasuar me 2019) dhe Bullgari (-1.5), ndjekur nga Lituania, Polonia dhe Rumania (të gjitha -1.4).

Burrat ishin më të prekur në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së me të dhëna të disponueshme për vitin 2020, me uljet më të mëdha të jetëgjatësisë së regjistruar në Bullgari (-1.7 vjet), Letoni dhe Poloni (të dy -1.5 vjet) si dhe Spanjë dhe Rumani (të dy -1.4 vjet).

Jetëgjatësia e pritshme në lindje është numri mesatar i viteve që një fëmijë i porsalindur do të jetonte nëse u nënshtrohej kushteve aktuale të vdekshmërisë (nivelet e vdekjeve të vërejtura për periudhën aktuale) gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij.

Shqipëria, me pritshmërinë më të gjatë për të jetuar në rajon

Për Shqipërinë, të dhënat e fundit të disponueshme, që publikon Eurostat janë për vitin 2019.

Një shqiptar pritet të jetojë 79.1 vjet. Në krahasim me 2013-n, pritshmëria për të jetuar për një të sapolindur është rritur me 1.2 vjet. Një i sapolindur shqiptar pritet të jetojë më gjatë sesa një kroat, polak, malazez, maqedonas, serb, rumun. Bullgaria është shteti që ka pritshmërinë më të ulët për te jetuar me 75.1 vjet. Bullgaria është dhe shteti që ka vdekshmërinë më të lartë në Europë në raport me popullsinë.

Jetëgjatësia e pritshme në Shqipëri është 2.2 vjet më e ulët sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Nuk ka të dhëna për vitin 2020, se sa e ka ndikuar Covid-19 këtë tregues për Shqipërinë, që deri tani ka shënuar një rritje të lartë të vdekshmërisë shtesë.

Më gjatë në Europë pritet të jetojnë zviceranët dhe spanjollët, me nga 84 vjeç secili. Më pas renditen italianët (83.6), islandezët (83.2), francezët, suedezët, norvegjezët, me rreth 83 vjet.

Për Italinë, që u godit e para nga Covid 19, pritshmëria për të jetuar u ul me 1.2 vjet në 2020-n, ndërsa rekordin e mban Spanja me -1.6 vjet.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *