Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Suedeze në Shkodër: Shqetësues fenomeni i shit-blerjes së votes, shenjë e një demokracie të dobët


Pas ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim, edhe ajo suedeze Elsa Hastad ka zhvilluar një vizitë në Shkodër.

Nga Paçrami i Shkodrës, ambasadorja Hastad foli për fushatën zgjedhore në vend, e në veçanti për fenomenin e shit-blerjes së votës që e konsideroi shumë shqetësuese.

“Unë jam këtu për shkak se zgjedhjet po afrojnë dhe mendoj se zgjedhjet janë një nga ngjarjet më të rëndësishme që ndodhin në një vend demokratik.

Unë jam këtu sot sepse unë dua të bisedoj me njerëzit, dua të takoj votuesit dhe dua të flas mbi atë se si ata po përgatiten për zgjedhjet. Dhe unë mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është që të kujdesesh për votën tënde, sepse vota është e jotja dhe se ti nuk duhet t’ja falësh askujt, nuk është dhuratë për askënd tjetër por është e drejta jote dhe përgjegjësia jote kur je një qytetar që jeton në një vend demokratik. Dhe për mua si ambasadore, po udhëtoj sepse dua të njihem me situatën dhe ndjenjën mes njerëzve.”– tha zonja Hastad.

E pyetur nëse qytetarët po i ankohen për vjedhje votash, ajo tha se nuk flasin për këtë në këto takime.

“Jo ne nuk flasim për këtë. Unë i pyes se si po përgatiten. Dhe do them se është e ndryshme. Unë u takova me komunitetin rom ditën e kaluar dhe ata më shprehën shqetësimet për çështjet që i prekin më shumë, si edukimi.”- u shpreh ambasadorja, duke theksuar se po interesohet vetëm për pjesëmarrjen e komunitetit në procesin zgjedhor.

E pyetur nëse fenomeni i shitblerjes së votave është shumë shqetësues, ajo e pohoi këtë, duke shtuar se kjo është shenjë e një demokracie të dobët.

“Është shumë shqetësues për çdo vend blerja e votave sepse, kjo është shenjë e një demokracie të dobët dhe kur je në fillimet e zhvillimit demokratik, mendoj se është e shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të jetë e vëmendshme për çdo shenjë dobësie në demokraci. Kështu që Po, është shumë shqetësuese.”– deklaroi Hastad.

Ndërkohë për përfshirjen e kandidatëve me të shkuar kriminale në zgjedhje, preferoi të mos bënte komente.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *