Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku ka konfirmuar lajmin për rikthimin në detyrë të disa kontrollorëve të Albcontrol.
Zonja Balluku shkruan në një postim në “Twitter” se kontrollorët i janë përgjigjur thirrjes se qeverisë që të paraqiten në vendet e punës, ndërsa “plani për pengmarrje” sipas saj dështoi.
“Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë janë në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi.”– shkruan Balluku.
Kujtojmë se ditën e djeshme, gjatë një konference për shtyp nga aeroporti i Rinasit, ministrja Balluku, tha për grevën e kontrollorëve se bëhej fjalë për një plan të organizuar për mbylljen e aeroportit deri në ditën e fundit të zgjedhjeve. Qeveria Rama ka akuzuar presidentin lir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me vendimin drastik të kontrollorëve, për të pezulluar punën.
Prej mëngjesit të sotëm kanë nisur fluturimet e para të pasagjerëve ndërsa një ditë më parë filluan udhëtimet e domosdoshme, siç janë ato humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake.