Kandidati i LSI-së në Korçë, Endrit Braimllari, ka ngritur akuza ndaj ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, se ka komunikuar me përfaqësues të LSI-së, duke i kërkuar atyre votën.
Në një deklaratë për mediet, Braimllari tha se Peleshi është i trembur nga mbështetja “e jashtëzakonshme për LSI” dhe se i ka kërkuar qytetarëve votën personale, jo për PS-në, por për atë vetë.
“Kam një mesazh shumë të qartë për Niko Peleshin, i cili në panik, i trembur, në ankth nga rritja e jashtëzakonshme e LSI në Qarkun e Korçës, është turrur duke marrë në telefon përfaqësues dhe njerëz të LSI. Po ja them shume qartë, të rinjtë dhe të rejat e LSI, as nuk shiten, e as nuk blihen. Kjo parti e ka emrin LSI dhe jo Rilindje, ndaj i kapur në panik nga mbështetja e jashtëzakonshme që socialistët e ndershëm po i bëjnë LSI, ky njeri ka turrur drejtorët e tij, hajdutë e batakçinj, duke shkuar derë më derë dhe duke ju kërkuar votën personale, jo për PS, por për Niko Peleshin.”--deklaroi Braimllari.
Mes të tjerash, Braimllari falenderoi qytëtarët për mbështetjen ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë LSI-në.
“Ndaj ju kërkoj që më 25 Prill të mbështesni masivisht LSI, sepse keni përballë dy modele, një model klientelist të Niko Peleshit, i cili po punon për interesin e tij personal dhe jo për t’i shërbyer qytetarëve të Korçës, e nga ana tjetër modelin e LSI-së, e një ekipi të jashtëzakonshëm, me energji pozitive, i cili punon për frymën e ekipit, për t’i shërbyer Korçës, për ta bërë Korçën Shtëpinë Tonë. Niko Peleshi të bëjë kujdes, ai dhe hajdutët e tij, sepse pas 25 Prillit, gjithçka do të jetë personale, më 25 Prill Rilindja është në opozitë dhe socialistet e ndershëm kane një siguri për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre, që është LSI.”– vazhdoi Braimllari.