Gazment Bardhi ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët e zonës së Lumasit në Cërrik, ku ndau me ta prioritetet e qeverisjes për mandatin e parë të PS-së.
Bardhi i cili është drejtuesi politik i PD-së për Elbasanin, tha se subvencioni do të jetë sipas prodhimit, pa burokraci, pa kritere përjashtuese, dhe i vetmi dokument që do të duhet, është karta e identitetit, ku është numri personal.
Fermerët iu ankuan se kanë shpenzuar kursimet e tyre dhe paratë e emigracionit, ndërkohë që po falimentojnë pasi nuk shesin dot mallin.
“Të paktën fermeri të marrë subvencion për koston e prodhimit, siç marrin kudo. Në mënyrë që fermeri të mos falimentojë. Ja ku e kemi produktin këtu, nuk shitet, jo mall turk këtu, jo nga spanja matanë. Atje ka shtet, këtu nuk marrim në dorë asgjë.”- u shpreh një prej të pranishmëve në takim.
Bardhi tha se përveçse i ka braktisur, kryeministri Edi Rama tani edhe i fyen dhe i tall fermerët shqiptarë.
“Pasi u tha fermerëve thashethemexhinj e dembelë, tani thotë se produktet e fshatit tonë ngelen pa shitur se janë të paditur. E gjitha kjo tregon sjelljen e tyre në 8 vite. Mirë që nuk ju mbështesin, mirë që nuk janë krah jush, po janë edhe arrogantë dhe të pafytyrë. Ju e keni dëgjuar që thotë kam shpërndarë vjet 95 milioën euro për fermerët. Po unë nuk kam gjetur deri më sot, një rast të vetëm, dhe këtë nuk e them për politikë, që të ketë ngritur dorën dikush e të ketë thënë unë kam marrë 2 lekë.”- u shpreh Bardhi.
Zoti Bardhi akuzoi qeverinë se po bën dembelët të pasur, dhe punëtorët po i zhyt në borxhë.
“Kjo, sepse skema që kanë ndërtu është më shumë përjashtuese se përfshirëse. Dembelin po e bën bos, ndërsa punëtorin po e gropos. Dembelë janë shokët e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, se ai i ndan lekët këtu tek ju, që marrin 95 mlionë euro. E pastaj mendojnë se me ato lekë do të vijnë të blejnë fshatarin këtu me 50 mijë lekë që i japin dy ditë ose 3 ditë para zgjedhjeve.”– tha ai.