Moderatori britanik Piers Morgan, i cili humbi punën në emisionin e mëngjesit “Good Morning Britain” pas komenteve për dukeshën Meghan Markle, thotë se ka marrë mesazhe falenderimi nga familja mbretërore që u ka dalë në krah.
Morgan i cili është dhe redaktor i Përgjithshëm i DailyMail.com, ka zbuluar se ai kishte mesazhe në emër të anëtarëve të Familjes Mbretërore të cilët i shprehnin atij “mirënjohje” që u kishte dalë në krah pas intervistës së bujshme të princit Harry dhe gruas së tij Meghan Markle me Oprah Winfrey.
Morgan e bëri këtë deklaratë në një intervistë televizive me Billy Bush, që e pyeti nëse dikush nga Familja Mbretërore e kishte kontaktuar pas intervistës së çiftit muajin e kaluar.
“Më kanë komunikuar disa mesazhe në emër të disa anëtarëve të Familjes Mbretërore.”– pohoi Morgan.
Ai nuk pranoi të zbulonte ama se kush nga anëtarët e familjes mbretërore ishte.
“Unë nuk do të hyj në detaje se kush ishte… por më shprehën mirënjohje që dikush u ngrit për ta.”– tha ai.
Morgan u largua nga emisioni i tij i mëngjesit “Good Morning Britain” në 9 Mars për komentet e tij për Meghan Markle. Ai kishte thënë se nuk besonte asnjë fjalë të dukeshës në intervistën me Oprah-n dhe e kritikoi atë që akuzoi familjen mbretërore për racizëm.