Ministrja e Infrastrukturës ka deklaruar se kontrollorët e trafikut ajror kanë marrë detyrën ndërsa çështja nuk duhet të jetë më në qendër të vëmendjes pasi është në duart e drejtësisë.
Në një intervistë në News24, Balluku theksoi se çështja ka prapavijë politike dhe se shumica e kontrollorëve nuk kanë lidhje me këtë gjë.
“Kontrollorët e trafikut ajror tashmë kanë marrë detyrën. Kontrollorët e trafikut ajror, duhet të fillojnë të bëjnë detyrën! Kjo duhet të pushojë të jetë në qendër të vëmendjes pasi mirë apo keq tashmë e ka marrë drejtësia në dorë dhe kur e merr drejtësia në dorë secili duhet të marri hakun e tij. Shumë prej kontrollorëve nuk kanë lidhje fare me këtë situatë dhe duhet thënë kjo. Pra janë përdorur të gjithë elementët në kohën më të paduhur për arsyen më të paduhur. Pra të kërkosh para, për të cilat ti nuk ke punuar.” – tha ministrja.
Ajo shtoi më tej se bllokimi i aeroportit të Rinasit është një situatë e paprecedentë pavarësisht emërtimit që i është bërë asaj duke theksuar se greva ka qenë me prapaskenë politike.
“Këtu nuk është problemi i emërtimeve të situatës. Kjo është një situatë në të cilën besoj të gjithë biem dakord që nga të gjitha krahët, edhe ata që shanë e mallkuan, edhe ata që mirëkuptuan e duruan 48 orë që ishin qytetarët si edhe vetë kontrollorët tashmë të kthyer në detyrë. Unë bësoj që të gjithë kemi një emërues të përbashkët dhe një fjalë të përbashkët: një situatë e paprecedent. Kjo është një grevë me prapaskenë politike.” – shtoi Balluku.
Lidhur me kërkesën e kontrollorëve për pagat, ministrja tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë duke qenë se nuk merr dhe nuk jep asnjë lek për kompaninë ‘Albcontrol’, pasi ky është një nga kushtet e anëtarësimit në Eurocontrol dhe se ajo është me vetëfinancim në varësi të avionëve që përpunon
Duke cekur uljen e pagave, Balluku tha se ato janë ulur me 45% për shkak të pandemisë ndërsa solli si shembull Maqedoninë e Veriut ku gjithashtu kontrollorëve u është ulur paga.