Vendosni fjalën kyçe....

Burri e lidhi në makinë dhe e dogji të gjallë, detaje nga krimi në Kavajë


Zbardhen detaje të reja nga krimi i dyfishtë që tronditi Kavajën mesditën e kësaj të shtune, ku një grua 45-vjeçare u gjet e djegur brenda makinës dhe bashkëshorti i saj i vetëvarur në pemë.

Dyshimet e policisë janë se 48-vjeçari Bilbil Shirja dogji bashkëshorten, Fëllënxa Shirja, brenda makinës dhe më pas vari veten në një pemë aty pranë.

“Më datë 10.04.2021, rreth orës 11:45, në fshatin Manskuri, Kavajë, është gjetur i djegur plotësisht një mjet.

Brenda mjetit është gjetur një kufomë e djegur, e cila dyshohet se i përket shtetases me iniciale F. Sh., 45 vjeçe.

Nga kontrolli i zonës përreth është gjetur i vetëvarur në një pemë bashkëshorti i saj, shtetasi B. Sh., 48 vjeç.”– njoftoi më herët policia.

Çifti mësohet se ishin në prag divorci dhe gruaja kishte shkuar të jetonte me prindërit e saj  në Shkallnur të Durrësit.

Por ditën e sotme 48-vjeçari ka shkuar dhe e ka marrë gruan kundër dëshirës së saj. Ai besohet se e ka lidhur gruan në makinë dhe pasi kanë ecur rreth 10 kilometra, në pyllin e fshatit, i ka vënë flakën, duke e djegur të gjallë, dhe më pas është varur vetë në një pemë.

Besohet se shkak ka qenë xhelozia. Bilbil dhe Fëllënxa Shirja ishin prindër të dy fëmijëve, kishin një vajzë 21-vjeçe dhe djalin 18 vjeç.

Fqinjët janë shprehur për “Balkanweb” se ata ishin njerëz familjarë, të rregullt dhe besimtarë, që faleshin rregullisht në xhami.

 “Jemi të pikëlluar nga kjo ngjarje. Jemi shokuar për këtë, ne kishim mësuar që kishin 2-3 muaj në proces divorci. E dimë që janë besimtarë, por edhe Zoti nuk ja fal atë që bëri atij njeriu, që dogji gruan në automjet. Për ne si banorë të fshatit është i pajustifikuar veprimi i Bilbilit.”- tha njëri nga fqinjët.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një pyll, ku nuk shihej asnjë banesë dhe Shirja besohet se ka djegur gruan brenda makinës. Në trupin e saj nuk janë gjetur shenja dhune, çka tregon se ajo është djegur e gjallë brenda mjetit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *