Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi nga Korça: Fitorja jonë e pashmangshme, shqiptarët s’do e shesin më dinjitetin për një çantë me ushqime


Kryetarja e LSI-së tha nga Korça se fitorja e forcës politike që drejton në zgjedhjet e 25 prillit është e pashmangshme.

Kryemadhi tha se LSI-ja është e vetmja forcë politike që mbështet të rinjtë e të rejat dhe se ndalja e largimit të shqiptarëve nga vendi ëshë ndër pikat kryesore të programit.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht në zgjedhje.

“E vetmja parti politike qe hap krahët për të rinjtë dhe për të rejat është Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI është parti e të rinjve dhe të rejave. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për djemtë dhe vajzat e Shqipërisë. Ti kthejmë ata nga mërgimi. T’i sjellim në Shqipëri. Sepse këtë vend të bekuar nga Zoti nuk mund të na e shkatërrojë një i çmendur. Ajo që kërkoj nga të gjithë ju. E di që kanë ngelur edhe 14 ditë. Si nesër dy javë është dita vendimtare për të ndarë periudhën e tranzicionin nga e ardhmja evropiane e Shqipërisë. Dhe këtë e kemi në dorë ne me votën tonë.” – tha Kryemadhi.

Më tej Kryemadhi shtoi se në zgjedhjet e 25 prillit nuk do ketë më shitblerje të votës.

Ajo tha se shqiptarët nuk mund të shiten me një çantë me ushqime të blerë nga fondet që u janë vjedhur qytetarëve nga tërmeti e pandemia.

“Unë jam e bindur se fitorja e LSI në qarkun e Korçës është e pashmangshme. Nuk ka më shitje dhe blerje të çdo mënyre që mund të përdorin sepse dinjiteti i qytetarit, i fermerit, i të papunimit edhe i të varfërit as nuk shitet dhe as nuk blihet me një çantë me ushqime, të cilat vijnë nga paratë që ata iu kanë vjedhur qytetarëve, që me tërmetin, pandeminë dhe faturat e çmendura të ilaçeve të Covid që shkatërruan familjet e shqiptarëve. Ju do ta vlerësoni më mirë se kushdo tjetër në 25 prill duke votuar LSI-në, duke votuar numrin 6 sepse ajo që di unë është, Korça e ka dhënë verdiktin e saj në këtë shesh të mrekullueshëm, me këta të rinj e të reja. Unë ju jam shumë mirënjohëse, ju falënderoj, Zoti ju ruajt ju, familjet tuaja, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë flamurin kombëtar.” – theksoi Kryemadhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *