Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama me tone të ashpra, pas deklaratave të këtij të fundit se ai po bën fushatë për LSI-në në Vlorë.
Meta gjatë një prononcimi për gazetarët, tha se Rama dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojë se në Vlorë nuk bëhet shaka, dhe se ai do të bëjë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Të jetë i qetë edhe kryeministri, edhe Tërmeti, deri më 26 prill do të jem në Vlorë, ditën edhe natën. Duhet ta kenë të qartë se ccdo skenar i ndodhur në Vlorë do të jetë i papranueshëm. Duhet të kuptojnë se në Vlorë nuk bëhet shaka. Ilir Meta do të bëjë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Ai po përdor gjithë pushtetin për të blerë, shantazhuar. Shpesh ka pasur sukses në këtë rrugën e tij, por pengesa ka qenë Ilir Meta. Kjo është një betejë finale për 100 vitet që vijnë. Nuk është një betejë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Edi Rama është një kuisling që po përdoret nga armiqtë e Shqipërisë, duke tentuar të nxjerrë në shitje edhe atë që ka ngelur, dhe të zëvendësojë vlonjatët e shqiptarët me bangladeshas.”– tha Meta.
Presidenti Ilir Meta mbajti sot një ceremoni në Parkun Kombëtar “Apolonia”, nga ku vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh” disa nga personalitetet më të shquara të Fierit. Kryeministri Edi Rama e ironizoi aktivitetin e Metës duke thënë se do dekorojë dhe ndonjë floktore, ndërsa e quajti atë kandidat zyrtar të partisë së tij në Vlorë.