Vendosni fjalën kyçe....

Policia arrestoi aktivistin dhe procedoi drejtuesin në Pukë për shit-blerje të votës, reagon LSI: Ata po mësonin mënyrën se si votohet


Policia e Pukës njoftoi sot se ka arrestuar një person dhe se ka proceduar penalisht drejtuesin e LSI-së në këtë qark, i cili akuzohet se hartonte lista me të dhënave të kartave të identitetit dhe u premtonte qytetarëve para në këmbim të votës.

Kryesia e LSI-së në qarkun e Shkodrës ka reaguar pas kësaj përmes një deklarate për shtyp, duke thënë se aktivistët e LSI-së janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën e votimit.

Ata e cilësojnë të turpshme dhe skandaloze të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politike të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit.

“Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.

Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.

Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike. I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale. ”- thuhet në reagimin e LSI-së së Shkodrës.

Policia e Pukës njoftoi sot se ka arrestuar një person dhe proceduar penalisht drejtuesin e një subjekti politik, pasi sipas uniformave blu, hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore pecialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.

Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *