Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një takim elektoral të zhvilluar në Mat me gra dhe vajza theksoi mbështetjen që do bëjë për këtë kategori sociale nëse vjen në qeveri.
Basha tha se emigracioni shkakton plagë të madhe një herë tek nënat dhe gratë, pastaj për Shqipërinë. Për këtë ai shpjegoi planin e Partisë Demokratike që parashikon përmirësimin e kushteve gratë dhe për rininë në veçanti. Trajnimet profesionale, paga të barabarta me burrat janë vetëm disa nga pikat që synojnë të kthejnë dinjitetin e munguar të gruas shqiptare.
“Në këto 8 vite janë bërë premtime pafund për çdo fushë të jetës e në veçanti për gruan shqiptare. Por në fakt realiteti është se papunësinë më të madhe e vuajnë gratë, se plagën e madhe të emigracionit që ka krijuar largimi i të rinjve e vuajnë nënat. Fakti është se si në çdo fushë tjetër të jetës dështimet e këtyre 8 viteve në raport me të drejtat e grave, me mundësitë e grave për punësim, me pagat e barabarta nuk mund të fshihen pas fasadës. Mund të marrësh 4 apo 5 gra dhe zonja dhe t’i keqpërdorësh për të treguar se gjoja t’i i respekton ato por sa kohë që ai që do të jetë model jo thjesht për vendimet që merr por dhe për sjelljen e tij, i pari i qeverisë, përdor gjuhë të papranueshme, fyese, denigruese ndaj bashkëpunëtoreve gra, ndaj gazetareve gra dhe ndaj grave në tërësi dhe për sa kohë fjalët nga veprat i ndan jo një det por një oqean atëherë këto 8 vite e kanë treguar fare qartë se çfarë bilanci sjellin, një përkeqësim në çdo fushë të pozitës së gruas në shoqëri. Jo më kot në programin tonë për qeverisjen e pas 25 Prillit gruaja zë një vend të veçantë dhe ne e kemi futur në program nën një titull mund të them i cili është i thjeshtë për t’u kujtuar “grua e fortë, Shqipëria e fortë”.
Së pari, duke mundësuar nëpërmjet shtytjes pozitive, asaj që quhet diskriminimi, të trajnojmë dhe të ritrajnojmë, t’i japim mundësin për trajnim dhe ritrajnim profesional të paguara nga qeveria grave shqiptare, ç’ka është e domosdoshme për t’i përgatitur për tregun e punës dhe kjo do të ecë paralel me përpjekjet tona. Masat fiskale dhe ekonomike që do të sjellin investime shqiptare dhe të huaja. Investimet kërkojnë krah të kualifikuar pune të çdo niveli, nga niveli bazik i prodhimit te niveli i menaxhimit. Ndaj, në planin tonë, përfitimi që do të ketë rinia me 20 trajnime profesionale nga Aleanca Europiane e Universiteteve me financim shqiptare por edhe të Bashkimit Europian, do të përfitojë edhe gruaja shqiptare, edhe vajzat shqiptare, të rejat shqiptare.
Së dyti, duhet të garantojmë që ajo që shkruhet, të zbatohet. Shkruhet që për punë të barabartë gratë duhet të kenë pagë të barabartë me burrat. Ne e dimë fare mirë që ky nuk është realiteti, as në shtet, as në privat. Moszbatimi i këtij rregulli bazë, sjell si pasojë shfrytëzimin. Shfrytëzimin e gruas, gjysmës së shoqërisë e cila bën dyfishin e punës, kur është e punësuar, orarin e punës dhe pastaj pjesën tjetër të kohës ja kushton familjes, fëmijëve. Si mund të kemi ne fëmijë të shëndetshëm dhe një të ardhme të sigurt në qoftë se nuk garantojmë pagë të barabartë për kushte të barabarta, jo me letër por me fakt dhe ky është një prioritet i programit dhe i planit tonë të hartuar me disa nga ekspertët dhe zonjat më të nderuara të Partisë Demokratike, eksperte po kështu të shoqërisë civile dhe mendime Europiane” – tha Basha.
Duke e konsideruar familjen si gurëthemeli i Partisë Demokratike, Basha përsëriti planin e mbështetjes për familjet e reja dhe studentët. Sipas tij, programi parashikon për 5 mijë çifte të reja çdo vit do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe shteti do të subvencionojë 100% interesat e kredisë. Bonusin prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët nga momenti i lindjes deri në momentin që arrijnë 5 vjeç, tekste shkollore falas, zgjatja e orarit të mësimit me vakte të paguara nga shteti dhe financimi 100% i bursave për studentët që vijnë nga familje me të ardhura deri 640 mijë lekë të vjetra në muaj, janë vetëm disa nga vendimet e para.