Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Minishengeni nuk mund të bëhet duke përjashtuar Kosovën


Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” foli edhe për Minishengenin e Ballkanit Perëndimor.

Basha theksoi se Minishengeni nuk mund të bëhet duke përjashtuar Kosovën nga procesi.

“Minishengeni është një projekt i cili në mënyrën si u prezantua dukej si një tekë e kryeministrit në ikje dhe e disa shokëve të tij për të mbuluar dështimet apo deficitet që kanë krijuar në raport me demokracinë, me të drejtat dhe liritë themelore, me lirinë e medias. Me dështimin për t’ju sjellë qytetarëve zhvillimin ekonomik që ai premtoi kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Lëvizja e lirë është në themel të bashkëpunimit midis vendeve. Dhe lëvizja  e lirë në rajon është diçka të cilën unë personalisht e kam mbështetur edhe si pjesë e qeverisë së mëparshme. Mbaj mend në muajin e parë të shërbimit si ministër i brendshëm, kemi diskutuar që qytetarët e vendeve të Europës Juglindore të lëvizin vetëm me karta identiteti edhe të shkojmë drejt një reduktimi të barrierave.

Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë 3 gjëra në raport me të ashtuquajturin Minishengen. E para nuk mund të ketë proces të tillë duke përjashtuar Kosovën. Kjo është kategorike. Dhe nuk mund të fshihesh pas gishtit. Çfarë dua të them me këtë? Është imperative që dialogu Kosovë- Serbi të prodhojë rezultatin final që është njohja e ndërsjellët. Pa diskutim duhet ecur edhe në fushat e tjera dhe nuk duhet penguar asnjë fushë por ky duhet të jetë objektivi final dhe nuk mund as të riparohet, as të zëvendësohet, as të zbutet efekti jonormal që sjell kjo përzgjatje e procesit të njohjes së ndërsjellët që në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e mban në radhë të parë Serbinë peng në raport me integrimin Europian dhe krijon tensione të pa nevojshme në rajon. Së dyti, duhet zbatim i plotë i proceseve të tjera siç është procesi i Berlinit, siç është EFTA. Dhe së treti dhe më madhorja, ne duhet të përgatisim vendet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për Shengen-in e vërtetë. Dhe kjo kërkon punë dhe reforma në vendet tona”-deklaroi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *