Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë paradite një takim me gra profesioniste të fushave të ndryshme, ku bashkëbiseduan për çështje të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë.
Në këtë takim, gazetarja Fatma Haxhialiu, shprehu nevojën për të votuar më shumë se kurrë në zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas saj, modeli i një lideri arrogant dhe bullizues duhet të hiqet nga politika shqiptare.
Për pedagogen Belina Budini, rotacioni është i nevojshëm që në shoqëri të kthehet besimi tek vlerat e meritokracisë.
Pasi dëgjoi zonjat, Basha tha se prishja e ekuilibrave të shoqërisë, e ka zanafillën në 8 vite dështim dhe pa asnjë bilanc të një njeriu që politikën e përdor si një art mashtrimi.
“Në veçanti në kushtet kur barku është bosh, tavolina është bosh, dollapi është bosh, arka është bosh, xhepat janë bosh. Krizë e cila ka progresuar vit pas viti këto 8 vite. Në këto momente pastaj… se edhe romakët i thonin bukë dhe cirk por ishte buka e para. Ky tani ka thënë vetëm cirk, s’kam asgjë. Dhe kur nuk ke bilanc pastaj e ke më të vështirë të krijosh besueshmëri. Çfarë do të premtosh? Ti s’ke bilanc për 8 vite dhe premton për 4 vitet e ardhshme. Politika mund të jetë art shërbimi ose art mashtrimi. Është art shërbimi kur unë përfill një racional, kur ruan raportet midis këtë që zoton të bëj, bilancin e kam bërë apo se kam bërë dhe gjykimi pastaj që bën votuesi me votë. Ky është thelbi i demokracisë. Ana e dytë për brezin tim, ne mbajmë mend patetizmin e regjimit dhe me gjithë varfërinë atë hipokrizinë, terrorin, kishte një hipokrizi me të cilën fillonte dhe mbaronte dita. Ashtu ishin edhe hipokritë më njëri-tjetrin sepse pasojat e mosqendrimit në linjën politike parti-shtet ishin shumë të rënda, ishte burgosja.” – u shpreh Basha.
Basha tha se beson tek racionalizmi si detyrim ndaj votuesit. Ai u shpreh se modeli që do të sjell në politik, është ai i individit të fortë si hapi i parë real drejt europianizimit, ndërsa hapi i dytë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Kryedemokrati tha se edhe pse përdoret truku për t’i shitur zgjedhjet si garë mes dy personave, në të vërtetë zgjedhjet janë për zgjidhjet e munguara për qytetarët.
“Unë besoj tek racionalizmi edhe si detyrim ndaj votuesit. Tani vijmë tek pikat kryesore, çfarë do të bëjmë se 25 prilli po vjen? Modeli i atij që ka qeverisur tetë vite, është modeli “Unë mbi gjithçka dhe pas meje kiameti”, ndërsa modeli që ne duam të sjellim, modeli që unë dua të sjell, është modeli i individit të fortë. Momenti që ne sjellim individin e fortë, momenti që ne shtrijmë sinorët e shtresës së mesme, rrisim pavarësinë e mendimit, duke nisur sigurisht nga popullsia e mesme dhe e pasur urbane, profesionistët pra, tek sipërmarrësit por edhe kudo tjetër, edhe te fermeri. Në këtë moment, besoj që kemi hedhur hapin e parë real drejt evropianizimit. Pa arritur tek hapat formalë që do të çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, që është garancia e fundit, për të mos iu kthyer më pastaj në sharlatanizma të tilla sepse me thënë të drejtën, kur u futëm në NATO, kur hoqëm vizat, sigurisht në 2013 humbëm pushtetin, nuk na pëlqeu por thamë nuk është tragjedi, është realitet i demokracisë por të na e merrte mendja që në 2021 të ktheheshim prapë te shqetësimi si në 1990, apo në ‘85, se mund të kthehemi prapë në diktaturë, se nuk kemi të garantuar lirinë e fjalës, se mund të kemi pasoja për ushtrimin e lirisë individuale, kjo është e paimagjinueshme! Truku më i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve do të ishte që t’i bindë shqiptarët që zgjedhjet janë për mua ose për të. Në fakt zgjedhjet janë për ju. Zgjedhjet janë për zgjidhjet që meritoni ju. Domethënë rinisë i duhet thënë fare qartë: në qoftë se nuk voton, kështu siç është dhe më keq do bëhet.” – tha Basha.