Grabitet një pikë karburanti në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit tek Ura e Gjolës, ku persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e armëve kanë marrë një sasi vlere monetare.
Lidhur me këtë ngjarje, policia thotë se ka vënë në pranga dy persona të dyshuar si dhe ka shpallur në kërkim një të tretë.
Tre të rinjtë janë kushërinj me njëri-tjetrin.
“Në orët e para të mëngjesit, tek Ura e Gjolës, Arrameras, Fushë Krujë, persona të maskuar dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri kanë marrë një sasi vlere monetare në një pikë karburanti dhe janë larguar.
Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.
Bazuar mbi provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Gjola”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Ç., 30 vjeç, banues në Nikël, Krujë, Z. Ç., 17 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Ç., 17 vjeç, banues në Fshatin Verjon, Krujë (kushërinj me njëri-tjetrin).
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, automjetin dhe veshjet e përdorura nga këta shtetas në momentin e ngjarjes.”– thuhet në njoftimin e policisë.