Është shtyrë deri në shtator 2021 afati i tërheqjes së letërnjoftimeve të prodhuara po që nuk janë tërhequr ende nga shtetasit shqiptarë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, masa synon t’u vijë në ndihmë shtetave shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk kanë pasur mundësinë që t’i tërheqin.
Në njoftim theksohet se sipas ligjit, letërnjoftimet e prodhuara mund të mbahen në ruajtje për një vit e më pas asgjësohen, në rast se nuk aktivizohen sipas proçedurës për shenjat biometrike.
“Shtyhet afati i tërheqjes së letërnjoftimeve, deri në Shtator 2021. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me konçesionarin e prodhimit të dokumenteve të identitetit, kanë shtyrë deri në 1 shtator 2021, afatin e tërheqjes së letërnjoftimeve të prodhuara, por të pa tërhequra nga shtetasit. Ky vendim është marrë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet në kohë. Me këtë rast, Ministria e Brendshme u bën thirrje shtetasve shqiptarë që nuk kanë tërhequr kartat e identitetit, të marrin masat që gjatë kësaj periudhe, të paraqiten pranë zyrave të shpërndarjes. Sipas ligjit, letërnjoftimet mund të mbahen në ruajtje për një afat 1-vjeçar dhe më pas asgjësohen, nëse nuk aktivizohen sipas proçedurës për shenjat biometrike.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.