Kina ka thënë se ‘bashkësia ndërkombëtare po vëzhgon Japoninë’ dhe i bëri thirrje Tokios që ‘të përmbushë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare’ teksa qeveria e saj mendon të shkarkojë ujërat e centralit bërthamor të Fukushimës në det.
Duke folur të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, pretendoi se katastrofa në Centralin Bërthamor të Fukushimës ka shkaktuar rrjedhje të sasisë së madhe të materialit radioaktiv, i cili ka pasur një ndikim të thellë në mjedisin detar, sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e njeriut.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetar, i cili citoi raportet se qeveria japoneze do të mbante një takim të martën për të nënshkruar planet për të hedhur më shumë se një milion ton ujëra të ndotura bërthamore në oqean, Zhao kërkoi që ajo ‘të përmbushte përgjegjësitë e saj ndërkombëtare’.
“Kjo çështje ka një rëndësi të madhe dhe Japonia duhet të jetë përgjegjëse për interesin publik ndërkombëtar.” – deklaroi ai.
Zhao tha se Kina i ka shprehur shqetësimet e saj serioze Japonisë përmes kanaleve diplomatike, me synimin për të ‘mbrojtur interesin publik ndërkombëtar dhe shëndetin dhe sigurinë e popullit kinez’.
Javën e kaluar, Pekini i bëri thirrje Tokios të shtyjë vendimin mbi hedhjen e ujit radioaktiv nga uzina bërthamore e Fukushimës në oqean derisa të konsultohet plotësisht me fqinjët e saj.