Presidenti Meta ka vlerësuar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën, i cili humbi jetën para pak ditësh në zjarrin e rënë në magazinën e një qendre tregtare në përpjekje për të shpëtuar punojësit e tjerë.
“Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit.” – ishte motivacioni i dekoratës së dhënë nga kreu i shtetit.
Në fjalën e tij, Meta vlerësoi veprimin e Arjan Salës duke thënë se ‘ai i tregoi mbarë vendit shembullin e shkëlqyer të përgjegjshmërisë dhe ndjenjës më të lartë qytetare e humane ndaj detyrës, ndaj kolegëve, por mbi të gjitha të dashurisë për njerëzit’.
Kreu i shtetit ceku braktisjen e vendit shqiptarët, sidomos nga të rinjtë e theksoi se shembulli i Arjan Salës tregon se në vend ka njerëz të mëdhenj, të cilës kanë familje të mrekullueshme që i kanë edukuar fëmijët me dashurinë për vendin e njerëzit.