Ministri austriak i Shëndetësisë Rudolf Anschober ka dhënë dorëheqjen. Ai ka deklaruar këtë të martë, se ai po tërhiqet nga detyra pasi është i mbingarkuar me punë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe si pasojë është rënduar shëndeti i tij.
“Në krizën më të rëndë shëndetësore në dekada, republika ka nevojë për një ministër shëndetësor që është 100% i aftë. Aktualisht ai nuk jam unë.”– tha Anschober duke sqaruar se kohët e fundit ka vuajtur nga probleme të presionit të gjakut si dhe ka patur lodhje. Ai shton: “Unë … nuk dua të thyhem.”
“Kam marrë një punë shumë të bukur dhe sfiduese 15 muaj më parë. Ndihet sikur nuk kanë kaluar 15 muaj, por 15 vjet.”– tha ai në një deklaratë për media, citon Reuters.
Anschober i Partisë së Gjelbër filloi detyrën kur koalicioni qeveritar u formua në janar në vitin 2020, para se pandemia të godiste Austrinë.
Anschober, një ish-gazetar dhe ish-mësues 60-vjeçar, është një nga politikanët më të njohur të vendit, i cili mbante fjalime të gjata lidhur me sfidat e pandemisë.
Po ashtu ka qenë shpesh zëri i vetëm në qeveri duke kërkuar masa më të rrepta bllokimi përballë numrit të lartë të infeksioneve. Kjo ka sjellë përplasjen me konservatorët e kancelarit Sebastian Kurz, të cilët kanë qenë të etur të lirojnë kufizimet edhe kur infeksionet kanë qenë shumë të larta.