Gjykata ka vendosur të lërë në “arrest me burg” dy administratorët e kompanisë që priste kontenierin me banane, brenda së cilës u gjetën mbi 140 kilogramë drogë.
Bëhet fjalë për shtetasit Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti, të cilët janë edhe kushërinj. Dy administratorët nuk e kanë pranuar akuzën para trupit gjykues, duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me lëndën narkotike.
“S’kemi asnjë lidhje me drogën. Ne kemi porositur vetëm banane dhe nuk kemi asnjë ide qe brenda kishte edhe lëndë narkotike.”– janë shprehur ata, citon gazeta Panorama.
Dy të rinjtë u arrestuan në operacionin “El Mejor”, ku u kapën një sasi prej 143 kilogramësh kokainë në Portin e Durrësit, që vinte nga Ekuadori.
Sasia e drogës ishte fshehur në tavanin e një konteineri me me banane që kishte ardhur nga Ekuadori. Ai kishte përshkuar itinerarin Ekuador-Itali-Shqipëri ndërsa ngarkesa ma banane ishte porositur nga kompania Masabi Fruits me qendër në Kombinat.
Kjo është sasi e dytë më e madhe e drogës e kapur në Portin e Durrësit pas 613 kilogramëve kokainë të kapura në vitin 2018, për të cilën është dënuar me burg Arbër Çekaj.