Analisti Fatos Lubonja e cilësoi si pjesë të veprimtarisë së një bande çështjen e pasjes nga ana e Partisë Socialiste të regjistrit të të dhënave personale të më shumë se 900 mijë shqiptarëve.
Në një intervistë për rubrikën ‘Opinion’ në News24, ai theksoi se PS-ja po bën çmos që të mbajë pushtetin me çdo mjet ndërsa kritikoi ashpër prokurorinë.
“Sa më shumë që qëndron në pushtet një parti aq më shumë kriminalizohet dhe më e rrezikshme bëhet, sepse di se si duhet të sigurojë pushtetin. Kjo e dhënë e fundit, që është një skandal, nuk duhet parë e ndarë, por si bashkësi me shumë gjëra të tjera që kemi parë dhe tregojnë një aktivitet të ethshëm të kësaj bande, për të mos e lënë pushtetin, manipuluar votën me çdo mjet, duke përfshirë ndryshime ligjore. Kjo gjë nuk mund të ndodhte nëse në krye të institucioneve do të kishte njerëz me integritet. Do të kishte drejtësi që do të vepronte menjëherë, ka pasur të dhëna dhe të mëhershme për të tilla aksione, Prokuroria dhe drejtësia jonë e si ka kryer.” – tha Lubonja.
Ai tha më tej se sistemi i drejtësisë në vend nuk funksinon duke sjellë si shembull rastin e pasjes nga ana e PS-së të të dhënave të qytetarëve.
Lubonja tha se sipas asaj që është publikuar, nga 8 persona brenda SPAK-ut, 6 janë votues të PS-së ndërsa 2 të tjerë kanë preferencë për PS-në, gjë që sipas tij tregon se drejtësia është bërë për të kapur sistemin e drejësisë.
“Unë nuk besoj, midis të tjerave, ky skandal na zbuloi edhe diçka tjetër, që çuditërisht, në 8 persona që ishin identifikuar të SPAK-ut, 6 ishin të sigurt PS, dy ishin simpatizantë dhe jo të sigurt të PS, dy dilnin pa preferenca, kjo flet, se sa problematike është kapja e drejtësisë në një vend. Reforma në Drejtësi është bërë për t’u kapur drejtësia dhe jo për të ndëshkuar padrejtësinë. Do të ketë skandale të radhës. Shqipëria në një farë mënyre ka humbur ndjeshmërinë të atyre që quhen sensorë.” – shtoi Lubonja.