Ujërat e ndotura të uzinës bërthamore të Fukushimës do të lëshohen në oqean ‘për rreth dy vjet”, ka njoftuar qeveria japoneze, pavarësisht thirrjeve nga Kina dhe Koreja e Jugut që Tokoi të mos e bëjë këtë veprim pa u këshilluar.
Kryeministri Yoshihide Suga njoftoi masën të martën në mëngjes me kohën lokale. Ai më parë e kishte quajtur hedhjen e ujit radioaktiv në oqean ‘të pashmangshme’, duke pasur parasysh sasinë e ujit të grumbulluar gjatë dekadës së fundit.
Centrali Bërthamor Dai-ichi në prefekturën Fukushima pësoi një shkrirje pasi u godit nga një tërmet me madhësi 9.0 dhe një cunami 15 metra në mars 2011. Ishte katastrofa më e rëndë bërthamore që nga aksidenti i Çernobilit në 1986 në BRSS.
Ujërat e ndotur me tritium – izotopi radioaktiv i hidrogjenit – që është grumbulluar brenda kompleksit do të hollohen dhe do të lëshohen në oqean, njoftoi të martën media kombëtare NHK, duke cituar zyrtarë të qeverisë.
Në fillim të kësaj jave, Kina paralajmëroi Japoninë se ‘komuniteti ndërkombëtar po vëzhgon’ dhe i bëri thirrje Tokios që ‘të përmbushë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare’ kur bëhet fjalë për mjedisin.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut tha të hënën se lëshimi i ujit do të ‘ndikojë drejtpërdrejt dhe indirekt në sigurinë e njerëzve dhe mjedisit të fqinjëve’ dhe se do të jetë ‘e vështirë të pranohet’ nëse Japonia merr vendimin pa ‘këshillime të mjaftueshme’ me fqinjët e saj.