Në takimin e sotëm në Përrenjas, kryeministri Edi Rama u ndal për pak çaste edhe tek Bujqësia.
Ai tha se në rast se do të fitojë një mandat të tretë, eksportet do të shkojnë sipas tij në 1 miliardë euro.
Rama hodhi kunja dhe për opozitën duke thënë se ka shumë për të humbur për qytetarët, në rast se ata bien pre e “sirenave joshëse” duke iu referuar premtimeve të PD-së. Kryeministri Rama tha që ata që premtojnë fushë me lule, mund të na çojnë në fund të greminës.
“Ndërkohë që të tjerët flasin për BE si një destiancion, që është destinacioni ynë i patjetërsueshëm, bujqësia jonë, është pjesë e angazhimit me BE-në. Vetëm në dy vitet e fundit janë 120 milionë euro të investuara në fshat për pika grumbullimi dhe janë bërë me financime të BE dhe qeverisë shqiptare. Një tjetër paketë e madhe është gati të lëvrohet në vijim dhe një tjetër masë e rëndësishme financiare do vihet në dispozicion të atyre që duan të vijojnë të prodhojnë. Jemi në 400 milionë eksporte bujqësore dhe në mandatin e tretë do shkojmë në mbi 1 miliardë sepse e kemi shtruar rrugën. Ka shumë për të humbur nëse biem pre e sirenave joshëse të fushës me lule, që thonë do i japim 1 milionë këtyre e 5 atyre, i keni parë me bori, me makina e këngë e valle, xhaferrët e Sudet dhe pamë pastaj se si rruga e shkurtër na nxori gjatë, në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t’u ngritur.
Përderisa ne ja dolëm që të dalim nga tuneli i pandemisë hap pas hapi, ne jemi ata që së bashku mund t’ja dalim që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje, punë e durim, por rritet e për të gjithë, për çdo familje dhe kjo është plotësisht e mundur.”- tha Rama.