Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar përsëri për të sqaruar edhe njëherë deklaratën e bërë në një intervistë për emisionin “Përballë” në Radio Televizionin Shqiptar ku tha se “shqiptarët nëse duan ndryshimin të votojnë ndryshimin, ndërsa nëse duan kriminelët le të votojnë kriminelët”.
Ambasadorja Kim thekson se SHBA-të nuk kanë një kandidat të preferuar për të fituar dhe ky nuk është as pozicioni i tyre.
Në reagimin e publikuar nga Ambasada, thuhet se interesi i SHBA-ve janë institucionet dhe procesi i zgjedhjeve.
“A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse.
Kjo është ajo për të cilën kemi interes.”– thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane, që kërkon të lexohet e plotë intervista e ambasadores Yuri Kim, me gazetarin Lutfi Dervishi.