Vendosni fjalën kyçe....

Biden në telefon me Putinin, e fton të takohen në një “vend të tretë”


Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, kanë diskutuar gjatë një telefonate mbi tensionet në Ukrainë, çështjet e sigurisë dhe nevojën për kontrollin e armëve bërthamore.

Në këtë bisedë mes Bidenit dhe Putinit, i pari ka propozuar një takim zyrtar në “një vend të tretë”.

Në një deklaratë të botuar të martën, zyrtarët amerikanë konfirmuan se të dy udhëheqësit kishin folur për “një numër çështjesh rajonale dhe globale”. Si pjesë e bisedimeve, Biden thuhet të ketë “shprehur shqetësime mbi vendosjen e papritur ushtarake të Rusisë” në Gadishullin e Krimesë dhe përgjatë kufirit me Ukrainën, duke i bërë thirrje Moskës “për të de-përshkallëzuar tensionet”.

Kjo bisedë vjen mes frikës së përhapur se luftimet në rajonin Donbass midis forcave të Kievit dhe luftëtarëve nga republikat e vetëdeklaruara të mbështetura nga Moska mund të kulmojnë në një konflikt të plotë. Bllokimi i ri pason një mobilizim në shkallë të gjerë të trupave nga Kievi, i cili bëri që Rusia të forconte praninë e saj ushtarake pranë kufirit të saj Perëndimor.

Disa në Perëndim kanë akuzuar se Moska mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën, por pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga zyrtarët rusë. Ndërkohë, në një lëvizje të interpretuar gjerësisht si një mbështetje për Ukrainën, Uashingtoni thuhet se ka dërguar dy anije luftarake në Detin e Zi.

Kremlini e ka përshkruar situatën në vijën e kontaktit në Donbass si “të frikshme”, dhe diplomatët rusë më parë kanë shprehur shqetësime ndaj homologëve të tyre amerikanë. Sidoqoftë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Uashingtoni ishte i shqetësuar për raportet “e besueshme” të lëvizjeve të trupave ruse pranë kufirit të përbashkët dhe i bëri ​​një “thirrje Rusisë që të përmbahet nga veprimet përshkallëzuese”.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar dukshëm në muajt e fundit. Kujtojmë këtu përplasjen në distancë mes Bidenit dhe Putinit, ku i pari shprehej se “PO” presidenti rus ishte vrasës, dhe i dyti se “ai që shan, është i sharë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *