Brukseli kërkon që pasaportat e vaksinave të jenë funksionale në të gjithë BE-në deri në fund të qershorit.
Skemat pilot do të fillojnë në fillim të atij muaji, me qëllim që i gjithë sistemi të funksionojë deri në 21 qershor. Kështu tha Didier Reynders, komisioneri Evropian për drejtësinë të martën.
Komisioni Evropian kishte dashur që të ashtuquajturat “Certifikata të Gjelbërta Dixhitale” të jenë plotësisht funksionale deri në fund të Majit, me disa shtete anëtare që janë më të varura nga turizmi, si Greqia dhe Spanja, që po bënin presion që të fillojë më herët.
Por tani për tani, nga ky synim është hequr dorë.
“Është urgjente. Sigurisht, ne duam të jemi gati para verës. Për fundin e qershorit, ne duam të jemi gati me rregulloren.”- u tha Reynders eurodeputetëve, citon Euronews.
Reynders gjithashtu theksoi se Certifikata dixhitale nuk është vetëm një pasaportë e thjeshtë vaksinimi.
“Komisioni po punon shumë fort për të siguruar mbulim të gjerë të vaksinimit të popullatës Evropiane për të parandaluar diskriminimin e individëve që nuk janë vaksinuar ende.”- tha ai.
“Propozimi rregullon jo vetëm verifikimin e sigurimit dhe pranimin e një çertifikate vaksinimi ndërvepruese, por edhe një çertifikatë testimi dhe çertifikatë për një person që është rikuperuar nga COVID-19.”
Por eurodeputeti holandez Tineke Strik i tha Euronews se pasaportat kombëtare të vaksinave të vendeve të BE-së duhet të lejohen në të gjithë unionin për të shmangur çdo diskriminim.
“Sapo vendet anëtare të fillojnë të përdorin mbase këto certifikata edhe në vendet e tyre, si për shembull, për qasje në restorante ose shërbime të tjera, atëherë ato gjithashtu nuk duhet të bëjnë dallime midis shtetasve të BE dhe qytetarëve të tyre.”- tha Strik.
Disa eurodeputetë në takim argumentuan se gjithçka duhet të bëhet për t’i bërë testet falas ose sa më lirë dhe që kjo të rregullohet në nivelin e BE-së.