“S’kam ndërmend të hy në histori si njeriu që dha pallate, dua të mbahem mend si një njeri që punoi ta kthejë qytetin në normalitet dhe si një njeri që do mbahet mend që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate”– kështu deklaronte Erion Veliaj në vitin 2015, para se të vinte në krye të bashkisë së Tiranës.
Mirëpo nuk është nevoja të lodhesh shumë për të vënë re se e kundërta ka ndodhur, ku pallatet jo shumë larg godinës së bashkisë po rriten të shëndetshme dita-ditës.
Mjafton të bësh një xhiro nga qendra drejt rrugës së Dibrës dhe ti vë re rreth 4-5 pallate që duket se “i ujit shiu” dhe po rriten me shpejtësi.
Nëse nisesh në Qendër dhe je përballë bashkisë së Tiranës, pas saj vë re të parën kullë që po ngrihet më lart se ndërtesa ku punon vetë kryebashkiaku Veliaj.
Në sfond kur kalon për tek Ushtari i Panjohur, vihet re në të majtë kulla II që po rritet pas Hotel Tiranës.
Vazhdon për tek Rruga e Dibrës dhe ngjyra blu të vret sytë, dy kulla të tjera po lartësohen me shpejtësi. Njëra prej të cilave po ngrihet ngjitur me një shkollë, shkollën “Avni Mula”.
Vazhdoni udhëtimin, të tjera kulla do hasni rrugës, por ne po mjaftohemi me një hapësirë prej një mijë metrash dhe padyshim syri të kap të paktën 4-5 kulla.