Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Burreli thirrje për emigrantët: 5 mijë euro për këdo që kthehet dhe hap një bujtinë


Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të radhës elektoral të mbajtur në Burrel, u ka bërë thirrje emigrantëve që të rikthehen dhe të investojnë në vend në agro-turizëm.

Rama tha se do t’i jepen 5 mijë euro çdo emigranti që kthehet në vend dhe kthen në bujtinë shtëpinë e vjetër të gjyshit, apo prindërve.

Ai shtoi se do të bëjë edhe një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, mjafton që ato të mos jenë para krimi, në mënyrë që ata të investojnë.

“Ne do i japim 5 mijë euro çdo djali, çdo vajze, çdo burri dhe gruaje që janë në emigracion dhe që duan të hapin shtëpinë e vjetër të gjyshit, të babës, për ta kthyer në një bujtinë, për të ndërtuar një agro-turizëm me produktet e zonës dhe për të fituar çdo muaj më shumë se sa fitojnë me punë për dikë tjetër atje në emigracion.

Do i bëjmë një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, pa i kërkuar llogari se nëse i kanë mbajtur në bankë apo poshtë jastëkut, mjafton mos jenë para krimi dhe të hidhen këtu. Italia rurale është e tëra e mbushur me iniciativat e njerëzve të zakonshëm që e kanë kthyer tokë, shtëpinë e tyre në burim të ardhurash të vazhdueshme dhe kjo është e mundur.”– tha Rama.

Mes të tjerash, në fjalën e tij Rama u kërkoi të rinjve që t’i bashkohen politikës dhe të mos e shohin atë si një gjë të pisët dhe që t’i qëndrojnë larg, pasi sipas tij politika vërtet ka sjellë shumë të këqija, por njëkohësisht nëse ajo është në duart e duhura i sjell zhvillim vendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *