Vendosni fjalën kyçe....

Dha jetën mes flakëve për të shpëtuar të tjerët, Veliaj i vë emrin “Arjan Sala” rrugës pranë Spitalit Ushtarak


Një nga rrugët në kryeqytet nga sot do të mbajë emrin e Arjan Salës. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i dorëzoi sot babait të 33-vjeçarit që humbi jetën mes flakëve, Fadil Salës një tabelë rruge me emrin e djalit të tij.

“Është një brengë e pashërueshme dhe një zbrazëti që nuk mbushet. Megjithatë di të them që ka kaq shumë djem dhe vajza, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri e në Kosovë, Maqedoni e shqiptarë jashtë, që janë frymëzuar nga ajo që kanë parë dhe kanë fituar një respekt dhe admirim të jashtëzakonshëm.

Unë e di që për ty ai është dritë e syrit edhe djali, por për pjesën më të madhe të shqiptarëve është një hero. Dhe ke lindur dhe rritur një hero. Një djalë të respektueshëm. Kështu që dua që ta kujtojmë si të tillë. Si një hero të qytetit.  Ndaj dua ta jap në mënyrë simbolike, për një rrugë ngjitur me Spitalin Ushtarak, ngjitur me Njësinë 11, duke qenë se ju bie rruga në atë zonë, do mbajë emrin e djalit tuaj dhe heroit tonë. Për shumicën prej nesh ai nuk është vetëm djali i familjes, por është një hero që u sigurua që në këtë qytet 20 nëna të tjera të mos visheshin me të zeza.

Kështu që këtë ta jap vetëm si kujtim ndërkohë që kolegët e kanë vendosur tabelën tek rruga në Spitalin Ushtarak. Qoftë gjithmonë i paharruar.” tha Veliaj.

Babai i “dëshmorit të Atdheut” iu përgjigj kryebashkiakut: “Ju falenderoj shumë nga zemra, ju falenderoj edhe në emër të familjes për çdo gjë që keni bërë dhe na keni lehtësuar edhe dhimbjen me këtë që thoni. Edhe njëherë ju falenderoj shumë nga zemra. Unë nuk mundem të flas më…sepse nuk mundem.”

Kujtojmë se 33-vjeçari, i cili punonte si shef i sigurisë në qendrën tregtare pranë kthesës së Kamzës ku ra zjarri më 24 Mars, hyri mes flakëve në magazinë duke shpëtuar 25 persona, por vetë u bllokua dhe ndërroi jetë.

Trupi i tij i pajetë u gjet vetëm pas 60 orë kërkimesh në një dhomë të vogël në katin minus 1 të kësaj godine, ku kishte rënë dhe zjarri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *