Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se policia ka vënë në pranga mjekun nga Podujeva, Ibrahim Hoti.
Kjo pas publikimit të një videoje në mediet kosovare, ku shihej se nuk i dha ndihmë mjekësore një pacienti të moshuar. Ai do të mbahet në paraburgim për 48 orë, deri në një vendim tjetër.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.”- njofton Prokuroria.
Ndërkohë, Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu ka lajmëruar që mjeku, Ibrahim Hoti është pezulluar nga puna pasi refuzoi të japë shërbime shëndetësore një të moshuari.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Podujevës ku pulmologu Ibrahim Hoti, nuk i ofroi shërbim pacientit të moshuar me arsyetimin se tashmë është bërë ora 15:05 minuta, ndërsa ai e kishte përfunduar orarin në ora 15:00.
Mirëpo pas lajmit për arrestimin e Hotit, ka reaguar Federata e Sindikatave të Shëndetësisë që ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut.
Në reagimin e kësaj Federate thuhet se janë të indinjuar thellë për arrestimin e mjekut në fjalë.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njejtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video inqizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur. FSSHK kërkon lirimin e menjëhershëm dhe ndjekjen e procedurave për zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në reagimin e tyre.”– thuhet në reagimin e kolegëve.