Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për Vizion Plus e cilësoi LSI-në si mollë të kalbur.
Sipas Ramës, LSI-ja kërkon pushtet vetëm për vende pune në shtet.
Më tej ai vijoi sulmin ndaj LSI-së duke thënë se ofron një model i cili është më i keqi i mundshëm dhe se sillet si një virus nga i cili është prekur si PD-ja ashtu edhe PS-ja.
“LSI është një mollë e kalbur që ka prekur edhe mollët e tjera. Edhe PS është e prekur nga virusi i LSI, edhe PD. Sepse është një lloj virusi që infekton zinxhir njerëzit sepse ofron një model që është modeli më i keq i mundshëm, por që është atraktiv, për të kapur një vend pune në shtet. Ka krijuar brenda PS dhe PD një sëmundje shumë të rrezikshme, që përkthehet në rezistencë të brendshme ndaj meritokracisë. Sikur t’ju them konfliktet e brendshme në PS për moscënimin e meritokracisë në rekrutimin e mësuesve, infermierëve, gjë që u bë me imponim nga lart. Ky është modeli i LSI, si qelizat e kancerit u rrit, duke shtrydhur e shtrydhur pushtetin. Kam parasysh mekanizmin, flas për një sistem. PS është afektuar nga kjo sëmundje, shumë keq, në një periudhë kohe të mëparshme sidomos. Unë nuk e fus dot një mësuese në punë me urdhër. Mund ta besoni, mund të mos e besoni! LSI është shëmbëlltyra e degradimit, e kalbëzimit. Të mendosh sot të votosh për LSI, është vërtetë të tradhtosh realisht të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu. Të votosh që molla e kalbur të mbahet në arkë dhe të kalbë edhe të tjerat”-tha Edi Rama