Gazetari Andi Bushati pasi u paraqit sot në SPAK për të dhënë dëshminë e tij mbi hetimin për të dhënat e 920 mijë votuesve në Tiranë që përdoreshin nga Partia Socialiste, thotë që s’ka besim se kjo çështje do zbardhet një ditë.
Në një deklaratë për mediet, Bushati tha se hetimi i SPAK-ut është i gabuar, sa kohë që çështja nuk është referuar si krim zgjedhor.
Gazetari u shpreh se së bashku me kolegun e tij Armand Shkullakun, nuk kanë ndërmend që të tregojnë burimin se si u ka rënë në dorë databaza më të dhëna, ndërsa tha se çdo gazetar që do të kishte pasur në dorë një lajm të tillë do të kishte vepruar po njësoj, duke e bërë publik.
“Problemi im me këtë ngjarje është se ngjarja po trajtohet si rrjedhje e të dhënave personale, që juristët mund ta dinë më mirë se unë, që është apo nuk është në kompetencat e SPAK-ut, që unë mendoj se do të ishte krimi zgjedhor.
Nuk po hetohet një krim zgjedhor, që është çështja kryesore që duhet parë.
Padyshim që janë të dhëna që po përdoren për fushatë, kur tregohet identiteti i votuesit, karta ID, ndarja në grupime që votojnë apo jo të PS-së, atëherë tregohet qartë që janë për zgjedhjet e 25 prillit.
Më gjeni një gazetar tjetër që nuk do të vepronte kështu, e pastaj interpretojmë interesat. E kemi zotëruar materialin një javë para publikimit. S’kam besim se Prokuroria do e gjejë të vërtetën e kësaj ngjarje. Sepse kur krimi shkon shumë lart, në Shqipëri jemi mësuar gjithmonë që krimi ngelet pa fajtor.”– tha Bushati.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thirri sot gazetarët e njohur Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, drejtues të portalit Lapsi.al, lidhur me shkrimin e tyre për databazën e PS-së me të dhënat personale të votuesve.