Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë që një dozë e tretë përforcuese do të jetë e nevojshme në 9-12 muaj pasi njerëzit të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.
Kështu ka deklaruar të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa kohëzgjatja e imunitetit pas vaksinimit është duke u studiuar, vaksinat përforcuese mund të jenë të nevojshme, tha gjatë një takimi të një komisioni të Kongresit David Kessler, zyrtari kryesor shkencor në grupin e punës të krijuar nga Presidenti Joe Biden për reagimin ndaj COVID-19.
Kessler u tha ligjvënësve amerikanë se vaksinat e autorizuara aktualisht janë shumë mbrojtëse, por vuri në dukje se variantet e reja të virusit mund të “sfidojnë” efektivitetin e vaksinave.
“Ne jemi duke studiuar qëndrueshmërinë e përgjigjes së antitrupave.”-tha ai, citon CNBC. “Duket e fortë, por ka një farë dobësimi të kësaj dhe pa dyshim sfiduese janë variantet… ato i bëjnë këto vaksina të punojnë më me vështirësi. Kështu që unë mendoj se vetëm për qëllime planifikimi, vetëm për qëllime planifikimi, mendoj se duhet ta presim mundësinë që mund të na duhet të vaksinohemi përsëri”.
Në muajin shkurt, Pfizer dhe BioNTech thanë se po testonin një dozë të tretë të vaksinës së tyre Covid-19 për të kuptuar më mirë përgjigjen imune kundër varianteve të reja të virusit.