Rama, Basha e Kryemadhi e kanë nisur ditën me videomesazhe.
Rreth një javë nga zgjedhjet e 25 prillit fushata elektorale është futur në fazën e nxehtë të saj dhe takimet me qytetarët dhe veprimaria në rrjetet sociale ka kapur një ritëm të lartë.
Kryeministri Rama ka zgjedhur ta nisë ditën me prezantimin e projektit të Portit të ri të Durrësit, të cilin e prezantoi mbrëmjen e djeshme gjatë një takimi me mbështetësit në qytetin bregdetar.
Kreu i PD-së nga ana e tij fton qytetarët që të votojnë numrin 9 në zgjedhjet e 25 prillit për ndryshimin e vendit. Në videomesazhin e kryedemokratit shfaqen pamje të ndryshme nga takimet elektorale të Bashës nëpër Shqipëri.
Kryemadhi ka zgjedhur takimin e Gjirokastrës në videomesazhin e saj. Ajo shkruan se vota për LSI-në është për një parti që është e majta e vërtetë, që nuk i harron premtimet e nuk i braktis njerëzit siç ka bërë Rilindja. Ajo shton se fitorja po vjen e atmosfera e saj ndihet nga jugu në veri.